Negociatat me BE, Gjosha: Rama e ka futur në kaos këtë proces
Përtej suksesit të një hapi përpara drejt rrugës së integrimit, pakkush flet për negociatat në vetvete, dhe a është gati vendi ynë në kapacitete njerëzore për të nisur këtë proces të gjatë.
Procesi i negociatave, përmban bisedime për 35 kapituj dhe nëse shohim Kroacinë, vendin e fundit që i është bashkuar Bashkimit Europian, negociatat kanë zgjatur për 6 vite. Shqipëria do të duhet të ketë një ekip negociatorësh kryesorë, që sipas ish-ministres së Integrimit, Klajda Gjosha, tashmë duhet të ishin identifikuar.
”Do të kemi grupe negociatore që do të jenë bërthama, pra do të jenë anëtarë të Administratës Publike. Unë uroj që të kemi një identifikim të këtyre kapaciteteve njerëzore që nesër do të jenë pjesë e grupeve negociatore. Nuk mjafton të jesh vetëm ekspert i fushës që përfaqëson. Do të duhet të ketë një zhvillim të madh si në gjuhën që do të përdoret në negociata po ashtu edhe kapacitetet përballë një pale evropiane tejet të stërvitur për çështje të tilla. Qeveria shqiptare duhet të kishte filluar për identifikimin e këtyre grupeve të interesit dhe njerëzit më të mirë dhe më të aftë për t’u bërë pjesë e grupeve negociatore. Në administratën publike numri i njerëzve që njohin mirë procesin e integrimit numërohen me gishtat e dorës”,-tha Gjosha në një intervistë për ”Ora News”.
Reforma e qeverisë Rama në administratë dhe me shkrirjen e ministrive, sipas ish-ministres së Integrimit, Klajda Gjosha, e ka futur në kaos këtë proces, pasi drejtoritë e integrimit, janë shkrirë duke eliminuar ekspertizën që duhet për të udhëhequr procesin e përshtatjes së legjislacionit.
Në Shqipëri flitet shumë për hapjen e negociatave, por mungon debati publik për nivelin e përfaqësimit të ekipit negociator, po ashtu mungon dhe dëshira e qeverisë për ta bërë sa më transparent këtë proces dhe për të përfshirë të gjithë aktorët e shoqërisë.
KOHA JONË SONDAZH

