Negociatat Rama-Basha, flet për herë të parë “dëshmitari”. Oerd Bylykbashi: Ja çfarë dëgjova
Njeriu që ishte aq pranë kryedemokratit Lulzim Basha në orët e ethshme të negociatave me kryeministrin Rama, Oerd Bylykbashi tregon disa të vërteta që vetëm në një libër me kujtime mund t’i përmbledhë, siç u shpreh gjatë emisionin “Kjo Javë” në News 24.
“Ato kanë qenë negociata nga dy kryetarët e partive. Është e vërtetë që unë kam qenë shumë pranë dhe di ca të vërteta, por ka edhe pjesë që nuk i di. Mund të them s se mbeten negociata të kryera prej tyre me sukses. Marrëveshjet kanë atë pjesën e tyre jopublike, ajo pjesa, e elementëve që projektohen për të ardhmen, siç është marrëveshja për reformën kushtetuese”,- sqaroi ai.
Sipas Bylykbashit, gjëja më e rëndësishme është që u mbyll një kapitull pas të cilit vjen ndryshimi për të ardhmen. Ai shtoi se falë këmbënguljes së opozitës, Rama u detyrua në 3 muaj të ndryshojë 11 ministra.
Ai ka folur edhe në lidhje me listën e kandidatëve për deputetë të përpiluar nga kryetari i PD-së, Lulzim Basha.
I pyetur nga gazetarja Nisida Tufa nëse kjo listë është bërë për të distancuar PD-në e vjetër, Bylykbashi thotë se brenda partisë është gjithnjë i nevojshëm një rotacion.
“Kur ka zgjedhje, do të ketë dhe një rotacion të brendshëm brenda partive, ka ndodhur te të gjitha partitë, të mëdhatë flas, jo në partitë e vogla ku shoë-n e bën kryetari. Edhe unë dikur konsiderohesha prurje e Berishës. Ka nga ata që e meritojnë të jenë pjesë e listës me punën që kanë bërë. Brenda dy javësh do shihni frytet e kësaj liste,” tha Bylykbashi.
Deputeti demokratik tha se lista është një gërshetim me prurje e reja dhe pritet të jetë një test për të gjithë PD-në.
“Është gërshetim mes përfaqësimit politik në disa zona të caktuara dhe prurjeve të reja. Janë kombinim të bëra nga kreu i partisë, por testi është përpara për të gjithë ne. Ne kemi mundësinë që përmes këtyre listave të japim më të mirën,” tha Basha.
KOHA JONË SONDAZH

