Nishani: Shqipëria ka gjithmonë nevojë për zemra të forta e mendje të mençura
Çdo gjeneratë ka përgjegjesi dhe duhet të jetë i gatshëm të sakrifikojë për vendin atëherë kur i kërkohet.
Mesazhi u përcoll nga Presidenti Nishani në një kohë kur në vend kemi një klimë të trazuar politike.
Duke folur në ceremoninë e mbajtur në Presidencë në ditën e kujtesës europiane të rezistencës kundër fashizmit, nazizmit e diktaturës, Nishani tha se Shqipëria ka gjithmonë nevojë për zemra të forta e mendje të mençura.
Nishani: Ne kemi pasur gjithmonë heronj dhe jemi me fat që kemi pasur heronj. Ky vend ka pasur gjithmonë dëshmorë sa herë është kërkuar të jepet sakrifica sublime dhe ne jemi të obliguar të mos i harrojmë dhe ti nderojmë ata. Por ky vend ka nevojë gjithmonë për zemër të fortë, mendje të mençur dhe shpirtra të mëdhenj dhe të hapur në mënyrë që sakrificat e bëra ndër shekuj në ruajtjen e dinjitetit, dimensionit të lirisë, ti konsiderojmë si përpjekje në shërbim të një Shqipëri më të mirë. Çdo gjeneratë, çdo brez ka detyrat dhe përgjegjësitë e tij dhe lind e nevojshme të ofrojë sakrificat e tij. Sot gjeneratës sonë i kërkohen sakrifica të tjera, të qëndrojmë fort në ruajtje të identitetit kombëtar, trashëgimisë kulturore.
Teksa nderoi sakrificën e LANÇ, Nishani tha se misioni i shoqërisë shqiptare është që të mos e lërë historinë të manipulohet.
Nishani: Sot duhet të jemi krenarë për përpjekjet e mëdha që u bënë në atë kohë dhe të përkulemi me respekt ndaj sakrificës së gjithë atyre djemve dhe vajzave që u bënë të gatshëm dhe u sakrifikuan në përballje me pushtuesin. Ne kemi sot një mision të rëndësishëm që këtë histori të mos e lëmë të manipulohet për qëllime individuale apo grupe individësh, qoftë kjo e pushteteve apo ideologjive politike. Kemi një mision që të nderojmë përpjekjen, të ruajmë kujtesën e sakrificës dhe mbrojmë fortë vizionin dhe objektivat e atyre që vunë gjithçka në përballje me pushtuesin.
Nishani nderoi me ‘Dekoratën e Artë të Shqiponjës’ Liri Belishovën, Llazar Fundon, Edip Ohrin dhe Hamit Keçin.
KOHA JONË SONDAZH

