Nishani sulmon Bashën: Barazoi Ramën me Berishën, e shpalli si të keqen 30-vjeçare të vendit
Nga Bujar Nishani
Lulzim Basha deklaroi sot edhe publikisht, atë që kishte bashkëpregatitur prej kohësh me pengmarrësin e tij. E barazoi Sali Berishën me Edi Ramën ! L. Basha e shpalli atë si të keqen 30 vjeçare të këtij vendi. Kjo nuk është tradhëti, se edhe tradhëtia apo tradhëtarët e kanë një lloj dimensioni, të lig, por e kanë. Në modelin e L. Bashës edhe tradhtia ndihet e fyer po ta krahasosh.
Të gjithë ne, që e kemi denoncuar, kritikuar, kundërshtuar L. Bashën për të gjitha të zezat që ai i ka shkaktuar Partisë Demokratike, kurrë nuk e kemi barazuar atë me Edi Ramën sepse ky i fundit i ka shkaktuar çdo gjëmë këtij vendi, shteti e kombi. L. Basha i kapur peng prej tij, thjesht ishte kthyer në një asgjesues të alternativës politike duke asgjesuar Partinë Demokratike.
Sot është dita t’u bëjmë thirrje të gjithë atyre deputetëve që ende e ndjejnë se përfaqësojnë vullnetin dhe votën e demokratëve shqiptarë, të distancohen nga projekti ogurzi i rilindjes dhe Edi Ramës, për asgjesimin e Partisë Demokratike, të së djathtës shqiptare, të alternativës politike, të vetë pluralizmit në Shqipëri, për shkak të një pengu! Të shpëtojmë sa më parë PD që të shpëtojmë Shqipërinë

