Nishani: Të hapen dosjet e komunizmit


Për të gjitha këto dhe të tjera pyetje, në takimin e kësaj të enjte në Top Story me Sokol Ballën ishte vetë Presidenti i Republikës, Bujar Nishani.

Sokol Balla: Zoti president, mirëmbrëma dhe mirëse erdhët në “Top Story”. 

Bujar Nishani: Mirëmbrëma. Faleminderit për ftesën. 

Sokol Balla: Zoti president, jemi në prag të Festës së Çlirimit dhe ju habitët jo pak vetë kur në një intervistë me mua, pak pasi ishit zgjedhur president, thatë se Festa e Çlirimit është 29 nëntori. I qëndroni kësaj?

Bujar Nishani: Përsa kohë ligji shqiptar e ka përcaktuar kështu, kryetari i shtetit është i pari që duhet ta respektojë në mënyrë strikte. 

Sokol Balla: Nesër është një ditë me aktivitete, me rastin e 28 Nëntorit. Ju a keni mesazhe për këto aktivitete?

Bujar Nishani: Kam disa aktivitete, do të marr pjesë tek një i organizuar nga qeveria në Vlorë, një homazh tek varri i Ismail Qemalit dhe pastaj në Krujë në një takim me shumë të ftuar. Në këtë të fundit është zgjedhur kalaja e Krujës me idenë e reflektimit mbi historinë, në mënyrë që të mendojmë për të ardhmen e shqiptarëve. Përfaqësues nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e arbëreshët do të prezantojnë fakte historike. Për herë të parë nga Gjergj Kastrioti u konsiderua ideja e një shteti të vetëm, por më së shumti ka të bëjë ideja se shqiptarët kanë vuajtur gjatë në historinë e tyre dhe në momente të caktuara kemi dalë të humbur sepse nuk kemi qenë të bashkuar. Sot mbetet aktuale rëndësia e të qenit së bashku. Shqipëria do ketë gjithmonë nevojë për të gjithë. Prandaj është një përgjegjësi e presidentit për ta dhënë këtë mesazh, ndaj dhe kam zgjedhur Krujën. Më pas do ketë një cermeoni në Pallatin e Brigadave për nderimin e disa prej figurave të luftëtarëve të Pavarësisë. 

Sokol Balla: Nga erdhi kjo ide?

Bujar Nishani: Ma ka propozuar kryetari i Komunës së Mitrovicës këtë dhe do ketë nderim të një seri figurash të Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare. 

Sokol Balla: Por ne do ta festojmë sërish të ndarë festën e Çlirimit. Një pjesë nesër dhe një tjetër pasnesër. Kur është 70-vjetori i Çlirimit do të ishte mirë uniteti, por politika po e ndan sërish historinë… Mos është ende herët të trajtojmë historinë e LANÇ pa emocione?

Bujar Nishani: Jo, nuk është herët. Duke parë pasojat që erdhën pas luftës apo shfrytëzimi i asaj lufte që më pas solli pasoja, unë mendoj se duhet t’i vlerësojmë figurat e LANÇ që u ngritën për të luftuar fashizmin. Pasojat që erdhën gjatë luftës kishin të bënin me vlerat e lirisë. Analizat dhe konkluzionet duhet të jenë së pari të historianëve që janë të çliruar nga ideologjitë. Këtë proces duhet ta udhëheqin historianët duke u bazuar tek faktet. 

Sokol Balla: Thuhet që të bëhet një rivlerësim i historisë së LANÇ, mendoni se duhet bërë duke përjashtuar figurën e Enver Hoxhës?

Bujar Nishani: Ndoshta nuk duhet përjashtuar, por ai ishte një diktator, një nga gjërat më të këqija që i ndodhën këtij vendi.

Sokol Balla: Mendoni se shfaqja e fotove të Hoxhës ishte e qëllimshme, përsa kohë nuk ka një ligj që i ndalon?

Bujar Nishani: Nuk ka ligj për të ndaluar Partinë Komuniste, por ka ligj për të dënuar parti politike që promovojnë diktaturën dhe varfërinë. Megjithatë janë një numër fare i vogël njerëzish, që sa vjen e zvogëlohet. Gjithësecili duhet të ketë perceptimin e tij, përsa kohë nuk shkelet ligji dhe Kushtetuta. Por kur bëhet fjalë për angazhime shtetërore e institucionale që duhet të respektojnë sensibilitetin e shumicës së qytetarëve, atëherë kemi të bëjmë me një tjetër gjë. Unë e kam të vështirë t’u shpjegoj fëmijëve të mi se si e se sa të vështira ishin ato kohë. Ka pasur njerëz që janë vrarë, qoftë pa bërë krime apo tradhëti ndaj atdheut, njerëz që janë internuar e që kanë bërë jetë prej skllavi. Kështu që unë i takoj atij grupi njerëzish që nuk drejtohet nga e shkuara por që duhet ta shohë atë. 

Sokol Balla: Megjithatë, opozita e sotme, në zgjedhjet lokale, bëri aleancë me Hysni Milloshin…

Bujar Nishani: Nuk bëj as avokatin e opozitës së sotme apo qeverisjes së djeshme, pavarësisht se kam qenë pjesë e saj. Për hir të së vërtetës nuk ka pasur një aleancë me ish-opozitën. Ajo e pa atë si një mundësi për t’i marrë votat së majtës, por jo si një aleancë. Kjo është një analizë e imja si qytetar. Pati thjesht një kandidat që garoi. 

Sokol Balla: Është e vërtetë që keni thënë së fundmi se mazhoranca duhet të distancohet nga Enver Hoxha?

Bujar Nishani: Po, e kam thënë. Mazhoranca nuk duhet të mbetet peng e një grupi nostalgjikësh, apo reminishencave të një grupi nostalgjik që janë vendimmarrës tek e majta. Duhet të artikulohet qartë tek të gjithë se diktatura solli krime çnjerëzore. 

Sokol Balla: Nuk do ishte më korrekte që ju si president të kërkonit më mirë që partitë të nxjerrin një ligj ku këto simbole të së shkuarës të ndalohen?

Bujar Nishani: Kjo ka qenë konteksti i asaj që kam dashur të them. Kuvendi duhet të miratojë një ligj që të ndalojë shfaqjen e fotove të simbolikave të diktatorit në publik. Nga ana tjetër, Shqipëria duhet të shkojë drejt ligjit të lustracionit, që nuk ka të bëjë me individë të veçantë por me një praktikë që duhet të izolojë ndikimet që kanë njerëz që janë ende nostalgjikë ndaj asaj ideologjie që ishte më e keqja në Evropë. Gjithashtu kam kërkuar që të gjenden pasuritë e disa shqiptarëve gjatë kohës së diktaturës, asetet që ata kanë përdorur dhe do ishte mirë që të kishte një verifikim të këtyre pasurive, si janë përdorur ato, a kanë gjeneruar pasuri të tjera, etj. 

Sokol Balla: Kryeministri Rama ka lënë të kuptohet se kjo mazhorancë ndoshta do t’i hapë dosjet…

Bujar Nishani: Hapja e dosjeve është një gjë dhe ligji i lustracionit një tjetër. Ka eksperienca nga vende të tjera si nga Gjermania, Polonia, etj dhe mbi këto modele ne mund të veprojmë. 

Sokol Balla: Kur thoni se duhet të verifikohen pasuritë dhe asetet e përdorura nga disa persona në kohën e komunizmit doni të thoni se jeni dakord me hapjen e dosjeve?

Bujar Nishani: Sigurisht. Pse të mos dalin detajet? Duhet të qetësohen shpirtrat. Ajo nuk do ketë një sens për të dënuar njerëzit.

Sokol Balla: Por ndonjëherë dënimi moral është më i rëndë se ai penal…

Bujar Nishani: Shoqëria shqiptare ka bërë një hap të madh, nuk është më ajo e 20 viteve më parë, 10 viteve më parë… Shqiptarët kanë ecur shumë si shoqëri. 

Sokol Balla: Thatë se ka një pjesë nostalgjikësh, por në fakt prej atëherë nuk ka kaluar ndonjë kohë e madhe. Ne e kemi treguar se e kemi shumë të lehtë të përçahemi në raste të tilla. Ndoshta për brezat e rinj hapja e dosjeve është diçka e mirë, por për njerëz të së kaluarës ndoshta jo…

Bujar Nishani: Ne kemi mjaft raste që viktimat e atij regjimi kanë njohur xhelatët dhe nuk ka pasur asnjë rast të hakmarrjes. Kjo vlen të nënvizohet dhe në këtë sens, për shkak të nivelit që ka arritur shoqëria, në aspektin e dimensionit njerëzor. 

Sokol Balla: Këtë vit ka pasur përpjekje mediatike apo politike për të rivlerësuar LANÇ dhe figurat e saj. Por për herë të parë kam vënë re goditjen e disa figurave, si ato të klerit që ishin jashtë luftës. Kjo më duket shqetësuese dhe shoh që po rikthehet një valë akuzash në mungesë të një versioni zyrtar… 

Bujar Nishani: Provokimet që bëhen me diktatorin janë të papranueshme. Unë jam i shqetësuar për sensibilitetin që ka krijuar shumica e shoqërisë, pa dallim kohe. 

Sokol Balla: E shihni publikimin e fotove të Hoxhës si vepër të politikës së sotme apo të figurave të së kaluarës?

Bujar Nishani: Unë nuk kam ndonjë informacion, por publikimi i atyre fotove më shqetëson. 

Sokol Balla: Ç’mendim keni për bunkerin?

Bujar Nishani: Unë e kam parë kohë më parë atë bunker. Unë kam qenë pedagog në Akademinë Ushtarake. Pas rënies së komunizmit filloi ndryshimi i shumë strukturave dhe ai bunker administrohej nga një repart ushtarak, repart elitë dhe për shkak të ndryshimit të regjimit mua më kërkuan që në marsin e vitit 1993 të kaloja nga pedagog në Shkollën e Bashkuar në drejtimin e këtij reparti. Mbaj mend që kam zëvendësuar komandantin e asaj kohe dhe e kam parë atë bunker sepse ishte në administrim të drejtpërdrejtë. Por ai ishte një objekt tërësisht i karakterit ushtarak që ka qenë një investim kolosal në kuadrin e propagandës së kohës. Ishte pjesë e propagandës pasi nuk ofronte mbrojtje për qytetarët. Ajo nuk është një memorie e krimeve të komunizmit. Që të identifikojmë pasojat e komunizmit duhet të shkojmë në kampet e internimit, për të treguar se ç’bën mendja e njeriut kur del jashtë kontrollit. 

Sokol Balla: Si shpjegohet që një president, nga një parti që e bazon orientimin kundër komunizmit, nuk kanë bërë asgjë në këtë drejtim?

Bujar Nishani: Nuk mund të them se nuk është bërë asgjë. Jam dakord që duhet të ishte bërë shumë më tepër, por ka pasur përpjekje për një ligj lustracioni. 

Sokol Balla: Që u kundërshtua fort…

Bujar Nishani: U kundërshtua dhe pastaj u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese.

Sokol Balla: Dukej sikur ishte bërë apostafat që të rrëzohej…

Bujar Nishani: Jo, nuk ishte kështu. Megjithatë nuk është bërë aq sa duhet. Ndaj dhe duhet të bëhet diçka jo për të ndëshkuar personat, por për të frenuar fenomenin dhe për ta mbajtur në memorie për të treguar se çfarë mund t’i ndodhë një vendi. 

/ Top Channel 

SHKARKO APP