Një vend në Këshillin e Sigurimit, Meta merr mbështetjen e Polonisë
Presidenti i Republikës, Ilir Meta, u takua me Presidentin e Polonisë, Andrzej Duda, në kuadër të pjesëmarrjes në punimet e Asamblesë së Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Shqipëria synon të zërë një nga vendet si anëtar jo i përhershëm në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.
Sipas njoftimit të zyrës së shtypit, u vlerësuan mbështetjet reciproke për kandidaturat e të dy vendeve në Këshillin e Sigurimit të OKB dhe organizata të tjera ndërkombëtare. Këshilli përbëhet nga 15 anëtarë, nga të cilët 5 janë të përhershëm (Franca, Britania e Madhe, Shtetet e Bashkuara, Kina dhe Rusia) ndërsa 10 të tjerë zgjidhen me një mandat dy vjeçar (5 vende çdo vit).
Gjithashtu, të dy bashkëbiseduesit Meta dhe Duda ndanë të njëjtin mendim lidhur me marrëdhëniet shumë miqësore e të bashkëpunimit prej dekadash mes dy vendeve dhe nevojën e forcimit dhe intensifikimit të mëtejshëm të tyre në të ardhmen.
Në mënyrë të veçantë të dy Presidentët vlerësuan rritjen e interesit dhe të bashkëpunimit në fushën e turizmit dhe numrin gjithnjë në rritje të turistëve polakë që vizitojnë Shqipërinë.
Presidenti Meta, shprehu mirënjohjen për mbështetjen që Polonia i jep procesit të integrimit europian të Shqipërisë dhe çeljes së negociatave të anëtarësimit në BE. Presidenti polak pranoi me kënaqësi ftesën e Presidentit Meta për një vizitë zyrtare në Shqipëri, e cila do të forconte më tej marrëdhëniet midis dy vendeve.


KOHA JONË SONDAZH

