Një zë tjetër kundër Bashës në PD, Bozdo: Dorëheqja ofron garanci për zgjedhjet në parti
Sekretari Organizativ në Partinë Demokratike Enno Bozdo i bashkohet zërave që mendojnë se dorëheqja e kryetarit Lulzim Basha është në të mirë të procesit zgjedhor brenda partisë. Sipas tij, kjo ofron barazi për kandidatët e tjerë.
Në një shkrim të publikuar te “Gazeta Shqiptare”, Bozdo shkruan gjithashtu se nuk mjafton fakti që Basha e ka pranuar përgjegjësinë e këtij rezultati në zgjedhjet e 25 qershorit. Sipas tij kjo është diçka, por jo e gjitha.
“Demokratët kanë nevojë të dëgjojnë nga zoti Basha përse-në e kësaj humbjeje, duhet të dëgjojnë të gjitha arsyet, edhe gabimet personale. Kjo ndershmëri në komunikim, do t’u bëjë mirë të gjithëve”, shkruan Bozdo.
Në vijim të qëndrimit të tij për dorëheqjen e kryetarit të partisë, Bozdo thotë:“Ka një debat tashmë mbi çështjen e dorëheqjes së z. Basha. Unë besoj se do të ishte në të mirë të barazisë së procesit ky gjest, por besoj, gjithashtu, se z. Basha duhet të rikandidojë n.q.s. dëshiron. Normalisht që çdo kandidat kërkon (me shumë të drejtë) garanci absolute për të hyrë në garë. Më duhet të them se deri tani këto garanci nuk janë shpalosur. Unë personalisht nuk i gjej të shkruara në asnjë dokument, apo të pasqyruara nga asnjë media. N.q.s. këto garanci do të ofroheshin, atëherë çdo gjë mund të tejkalohej, madje edhe vetë debati mbi dorëheqjen. Por nga ana tjetër, nuk do të ishte e ndershme që në rast se të gjitha garancitë ofrohen, dikush të përbaltë procesin thjesht për përfitim politik dhe jo për meritë të tij”
KOHA JONË SONDAZH

