“OKB dhe Francë, dy ngjarje që tregojnë se çfarë shteti leckaman kemi”
Deputeti i LSI-së, Shezai Rrokaj shprehet se Qeveria Shqiptare po tregon se ka ndërtuar një shtet pa dinjitet.
Ai u referohet dy ngjarjeve të fundit, votës në OKB dhe vdekjes së një të riu aizlant në burgjet e Frnacës.
“Shtet i droguar, shtet pa asht, pa prestigj. Shtet leckaman që nëpërkëmb shtetarin e vet, që nuk të jep siguri për jetën. Shtet dhelpërak, tinzar, që kinse të mbron, por në fakt të bishtnon, kur ke hall. E kush e përfaqëson këtë shtet? Ca oligarkë të pangopur, krimi i organizuar i lidhur me qeverisjen, mediet servile dhe gjyqësori i kapur, pa përjashtuar shumë politikanë dallkaukë dhe popullin që u shkon pas dhe i duron mbi kurriz, ose lëshohet rrugëve të botës shpresëhumbur për një të ardhme në vendin e tij”,- shkruan Rrokaj në një mesazh në Facebok.
Postimi i plotë i Shezai Rrokaj:
“Mjafton të përmendim dy ngjarjet e fundit për të kuptuar se çfarë shteti kemi. Njëra lidhet me votën e Shqipërisë në OKB kundër SHBA-ve, aleatit strategjik dhe mbrojtësit të identitetit tonë kombëtar, mikut që gëzon mbështetje qytetare plebishitare. Tjetra lidhet me Florencin, një i ri 23 vjeçar, i cili gjeti vdekjen nga torturat në burg në Francë. Edhe kjo një ngjarje dhimbshme si shumë të tjera që lidhen me dramën e mërgimit të shqiptarëve nëpër botë.
O ‘shtet’ i pavarur, i fortë e heroik! Kur do të kesh pak dinjitet? Kur jeta e qytetarit do të marrë vlerë? Kur do të sillet si shtet, ky shteti ynë marionetë, që ikën nga fryn era dhe s’ka qëndrueshmëri, që qytetarët e vet i ka kthyer në aradhe ikanakësh, pasi vendi i tyre është bërë i pajetueshëm. Shtet hajnash deri në makuteri.
Shtet i droguar, shtet pa asht, pa prestigj. Shtet leckaman që nëpërkëmb shtetarin e vet, që nuk të jep siguri për jetën. Shtet dhelpërak, tinzar, që kinse të mbron, por në fakt të bishtnon, kur ke hall. E kush e përfaqëson këtë shtet? Ca oligarkë të pangopur, krimi i organizuar i lidhur me qeverisjen, mediet servile dhe gjyqësori i kapur, pa përjashtuar shumë politikanë dallkaukë dhe popullin që u shkon pas dhe i duron mbi kurriz, ose lëshohet rrugëve të botës shpresëhumbur për një të ardhme në vendin e tij”.
KOHA JONË SONDAZH

