OSBE: Dialog për krizën, Boçi për ”KJ”: Misioni të garantojë votën, jo qoka Ramës
Nga: Redjon Shtylla
Pas protestës së 7-të kombëtare, kreu i PD-së, Lulzim Basha u shpreh se më 8 qershor do të flasë vetëm populli. Një thirrje e fortë kjo që mund të përkthehet në mos kontrollim të revoltës. Është kjo një nxitje për dhunë, në një kohë kur faktori ndërkombëtar deklaron kundër dhunës? Ish-deputeti i PD-së, Luçiano Boçi, në një prononcim dhënë për ”Koha Jonë”, në lidhje me pyetjen e drejtuar, thotë se nuk është thirrje për dhunë por paralajmërim për të mos i vënë kufizime zemërimit qytetar i cili vazhdon të rritet në përmasa të jashtëzakonshme.
”Thirrja e Bashës vjen pas shurdhërisë heshtjes së parreshtur qeveritare për të plotësuar kushtin themelor të demokracisë, zgjedhje të lira e të ndershme. Nuk është thirrje për dhunë por paralajmërim për të mos i vënë kufizime zemërimit qytetar i cili vazhdon të rritet në përmasa të jashtëzakonshme. Tek ky zemërim i rritur ka ndikuar sjellja arrogante e Ramës, aferat e korrupsionit, sjellja e dhunshme e policisë dhe disa deklarata aspak objektive të ardhura për arsye subjektive”.
Së fundmi edhe kreu i OSBE-së tha se protestat nuk zëvendësojnë angazhimin politik dhe se dhuna i mbyll rrugën dialogut. Për këtë deklaratë të kreut të OSBE-së, Boçi pohon se më parë ky mision duhet të garantojë lirinë dhe drejtësinë e votës. Sa i takon dialogut, për të, nuk mund të behet duke bërë hosanarat e qokat e rradhës Ramës.
”Misioni ka të drejtën të japë konsideratat e tij por më së pari duhet të plotesoje misionin e tij që është garantimi i lirisë e drejtësisë së votës. Për këtë duhet të bëjë atë që mendon se është më e mira: Dialog por jo me ato që kanë blerë pushtetin dhe keqpërdorin pushtetin e bashkëpunojnë me krimin. Nxitja e dialogut nuk mund të bëhet duke bërë hosanarat e qokat e rradhës Ramës por duke marrë qëndrime që demostrojnë objektivitet dhe paanshmëri”,-thotë Boçi për ”Koha Jonë”.
KOHA JONË SONDAZH

