Pa rroga e siguracione, 300 naftëtarë marshojnë drejt Ministrisë së Gjiknurit në Tiranë
Rreth 300 punëtorë të uzinës së përpunimit të naftës në Ballsh janë nisur në këmbë drejt Tiranës. Naftëtarët kanë nisur protestë prej disa ditësh, pasi kërkojnë pagat e tyre të dy muajve të fundit, si dhe siguracionet e 12 muajve. Ata kanë kërcënuar se nuk do të kthehen pas pa marrë pagat e tyre.
Naftëtarët thonë se do të vijnë në Tiranë për të rrethuar Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, si institucionin që ka përgjegjësi për sektorin e hidrokarbureve. Ndërkohë Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Damian Gjiknuri është në kontakte të vazhdueshme me përfaqësuesit e kompanisë që përpunimit të naftës dhe me drejtuesit e Sindikatës për tu zgjidhur problemin e pagesave.
Mësohet se ministri Gjiknuri ka urdhëruar se duhet me çdo kusht të respektohet ligji dhe të drejtat e naftëtarëve.
Vonesat në pagesat e naftëtarëve vijnë për shkak të ndryshimit të shpeshtë të kompanive që administrojnë Uzinën e Përpunimit të Thellë të Naftës Ballsh dhe Rafinerisë së Naftës Fier.
Kreu i sindikatave të naftëtarëve, Kamer Iljazi, lidhur me situatën e krijuar nga protestuesit deklaroi se janë rreth 300 naftëtarë, të cilët janë nisur në këmbë nga Fieri drejt Tiranës. “Mos të degradojë kjo lëvizje, qeveria të marrë masa dhe të paguajë me patjetër pagat. Janë rreth 300 persona, që janë nisur drejt Tiranës. Ne do vijmë atje, do të protestojmë. Problemi ynë duhet të përcillet edhe te Donald Lu, Mogherini”,- tha kreu i sindikatave.
KOHA JONË SONDAZH

