Papa thirrje nga Turqia myslimane:T’i japim fund ekstremizmit

Papa lëshoi edhe një mesazh bashkëpunimi ndërmjet feve, të cilat janë thelbësore në ndalimin e dhunës kudo në botë.

“Dialogu ndërfetar dhe ndërkulturor mund të japë një kontribut të rëndësishëm në arritjen e këtij synimi fisnik dhe urgjent, në mënyrë që t’i japim fund të gjitha formave të fondamentalizmit dhe terrorizmit që cënojnë rëndë dinjitetin e çdo njeriu dhe shfrytëzojnë për keq fenë”.

Pasi falenderoi Turqinë për ndihmën që po u jep 1 milion e 600 mijë refugjatëve të strehuar në vend, Papa u takua edhe me klerikun më të lartë musliman në vend, Mehmet Gormez.

Ndërsa para takimit me Erdoganin, Papa vizitoi mauzoleumin e Mustafa Qemal Ataturkut, themeluesit të shtetit modern turk në vitin 1923.

Të shtunën ai do të udhëtojë për në Stamboll, ku do të takohet me Patriarkun ortodoks Bartolomeu I dhe do të firmosë një deklaratë të përbashkët me të në përpjekje për të afruar dy degët kryesore të krishtërimit, të ndara prej mëse 1 000 vjetësh.

Gjithashtu ai pritet të vizitojë edhe Xhaminë Blu dhe Hagia Sofian, godinën që ka shërbyer për rreth 900 vjet si Kishë, 500 vjet si xhami ndërsa sot është Muze.

Megjithëse 99% e 80 milionë banorëve të Turqisë janë myslimanë, në vend jetojnë ende 120 000 të krishterë.

SHKARKO APP