Parlamenti i ri, 70% e deputetëve banojnë në Tiranë. Në Kukës asnjë

Janë zgjedhur të përfaqësojnë zonën?
Kanë bërë premtime në fushatë dhe janë betuar se do tu qëndrojnë afër zgjedhësve?

Shteti ynë paguan udhëtimet e deputetëve për në zonën e tyre elektorale dhe shpenzimet për zyra për të mbajtur kontakte midis deputetëve e zgjedhësve. Pavarësisht se nuk janë zgjedhur nga qytetarët, por janë emëruar nga partitë nga lista proporcionale, pavarësisht se nuk ka sens të ketë zyra elektorale të kandidatëve / deputetëve në një sistem proporcional votimi.

Po sa përfaqësues janë deputetët? Ja një detaj interesant i nxjerr nga monitorimi i zgjedhjeve dhe i parlamentit nga Instituti i Studimeve Politike:  70% e deputetëve banojnë në Tiranë, 64 deputetë të zgjedhur në qarqe të tjera banojnë në Tiranë.

Pra, Tirana përfaqëson 70% të parlamentit, edhe pse në sistemin tonë të votimit Tirana si qytet (jo si qark) përfaqëson vetëm 14% të totalit të mandateve parlamentare në Kuvend.

Qyteti i dytë më me “shumë” deputetë është Durrësi, me 4,2% deputetë banorë, ndjekur nga Shkodra e Fieri me nga 3,5%, Vlora e Elbasani me 2,8%, etj.

Ka qarqe si Kukësi ku asnjë deputet i zgjedhur më 2017 nuk banon në qark, apo si Dibra ku vetëm 1 nga 6 deputetët e zgjedhur banon në qark.

Fakt tjetër interesant: 140 deputetët banojnë në vetëm 17 nga 61 bashki, pra në vetëm 27% të njësive vendore të Republikës së Shqipërisë, megjithëse janë votuar si pjesë e listës shumë-emërore në të gjithë vendin dhe nga të gjithë qytetarët. Asnjë nga deputetët e partive të vogla fituese me mandate në zgjedhje nuk banon në zonën elektorale ku janë zgjedhur.

Fakt tjetër interesant: në vetëm një pallat në Tiranë, në një zonë moderne ndërtimi, banojnë katër deputetë nga tre parti të ndryshme, – pra më shumë sesa numri i deputetëve që ka qarku i Kukësit.

A mund të ketë lidhje e llogaridhënie midis deputetëve turistë, që banojnë në Tiranë dhe që në rastin më të mirë kalojnë fundjavën në zonën e tyre elektorale, apo midis deputetëve që jetojnë në kushte, rrethana, mjedis e komoditet shumë më të lartë e më të mirë sesa banorët e zonës së tyre elektorale? Partitë thonë se po, deputetët gjithashtu. Në fakt, asnjë e dhënë nuk e provon këtë përgjigje optimiste. Në përgjithësi deputetët e përdorin zonën kryesisht për marketing, aneks të punës së tyre, shihen rrallë me zgjedhësit, – vetë partia ua ndryshon zonën e qarkun çdo 4 vjet, – ndaj edhe nuk kanë ndonjë kontratë politike apo sociale me votuesit. Vetë partitë, kur bëjnë analiza lokalë, iu adresohen zyrave të tyre lokale për të mbledhur mendimet e qytetarëve mbi partinë dhe jo zyrave të deputetëve apo vetë deputetëve, duke pranuar se përfaqësues real nuk janë deputetët, por kryetarët lokalë, zyrat partiake dhe partia lokale! Madje, asnjë nga kryetarët e partive parlamentare nuk banon jashtë Tiranës, me përjashtim të atyre që kanë ndërtuar vila private luksoze në resorte e zona turistike!

A mund të kemi një sistem më përfaqësues, më afër zgjedhësve, më cilësor dhe më llogaridhënës? Po. E kemi pasur me sistemin mazhoritar, e kemi pasur pjesërisht me sistemin e përzier, dhe mund ta kemi edhe në proporcional nëse partnerët e 18 majit do të mbajnë premtimin amerikan për “demokraci nga qytetarët, për qytetarët dhe me qytetarët”. Shanset për ta arritur? Deri tani shanse minimale……vetëm teorike!

/Pergatitur nga Instituti i Studimeve Politike/

SHKARKO APP