Parlamenti i ri me numrin më të madh të grave deputete në histori
Në zgjedhjet parlamentare të 25 qershorit, Shqipëria shënoi një arritje të re duke zgjedhur 28 për qind gra deputete. Kandidatet përfituan nga kuotat gjinore, por edhe forumet publike, të organizuara nga UN Women dhe partnerët e saj, që i ndihmuan të dialogonin me votuesit.
Përpjekjet për të përkrahur pjesëmarrjen politike të grave në vend dhe për të garantuar barazinë gjinore në zgjedhje janë të vazhdueshme. Shqipëria arriti një tjetër sukses në lidhje me përfaqësimin e grave në politikë. Parlamenti shqiptar, pas zgjedhjeve e të mbajtura më 25 qershor, mirëpriti të shtunën një numër rekord të deputeteve. Përfaqësimi i grave në parlamant arriti për herë të parë 28 për qind, përmirësim i dukshëm në krahasim me zgjedhjet e vitit 2013, kur vetëm 18 për qind e të zgjedhurve ishin gra.
“Kam shumë shpresë se deputetet do të ecin bashkë përpara, falë punës së arritur gjatë këtyre katër viteve në bashkëpunim me Aleancën e Grave Deputete”, u shpreh Albana Vokshi, e zgjedhur për të tretën herë radhazi si deputete e Partisë Demokratike. “Kam shpresë që gratë do të jenë pjesë e procesit të vendimmarrjes, do të luftojnë për më shumë politika në mbështetje të fuqizimit ekonomik dhe social të grave dhe nuk do të jenë vetëm numra në Parlamentin e ri”, shtoi ajo.
Në vitin 2008, Parlamenti miratoi ligjin për “Barazinë Gjinore”, që ndër masa të tjera, vendosi edhe kuotën minimale prej 30 për qind për gjininë më pak të përfaqësuar dhe përcaktoi se një nga tre emrat e parë në listat e kandidatëve të partive politike, duhet të ishte e gjinisë më pak të përfaqësuar. UN bashkë me partnerë të tjerë ofroi mbështetje teknike në hartimin e ligjit dhe ka bashkëpunuar me shoqërinë civile, qeverinë dhe gratë e zgjedhura në rang vendor dhe kombëtar, për të rritur pjesëmarrjen politike të grave dhe për të advokuar për barazinë gjinorë në zgjedhje.
“Kjo rritje e përfaqësimit të grave është domethënëse, pasi këto janë zgjedhjet e treta parlamentare që prej vendosjes së kuotës në vitin 2008, kur kishim vetëm 7 për qind gra në parlament”, thotë Fiorela Shalsi, Drejtuese e Programit Kombëtar të UN Women në Shqipëri. “Kemi punuar shumë fort për të arritur deri këtu, por duhet të punojmë edhe me fort për të përkrahur gratë e zgjedhura që të jenë lidere politike të suksesshme si dhe të mos humbasim çfarë kemi fituar me kaq përpjekje.”
Rreth 60 gra kandidate nga parti të ndryshme politike ishin pjesë e 12 forumeve publike, të organizuara nga rrjeti “Barazi në Vendimmarrje”, partner i UN Women, për nxitjen e pjesëmarrjes së barabartë të grave dhe burrave në zgjedhje. Kjo nismë u financua nga Qeveria Suedeze dhe nga National Endowment for Democracy (Ndihma Kombëtare për Demokraci), dhe mbuloi të 12 qarqet e Shqipërisë, duke i dhënë grave kandidate mundësinë për të prezantuar programet e tyre dhe për të diskutuar me votuesit.
Ermonela Felaj, ish Ministre e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, e cila është deputete që prej vitit 2009, beson se zbatimi i kuotës gjinore ka sjellë shumë mundësi për gratë dhe i është kundërvënë qëndrimeve paragjykuese. “Tashmë njerëzit janë të bindur se gratë politikane, qoftë deputete, kryetare bashkie apo këshilltare vendore, janë më të qëndrueshme, më të përgjegjshme dhe më profesioniste”, thotë Felaj. “Si rrjedhim, mbështetësit e “kuotës rozë” (që i referohet kuotës gjinore) janë shtuar, veçanërisht midis burrave.” Felaj mori pjesë në forumet publike dhe u zgjodh deputete për Partinë Socialiste për herë të tretë këtë vit.
Gratë përbëjnë afërsisht 50 për qind të popullsisë prej 2.88 milionë të Shqipërisë, por shumica e tyre (57 për qind) nuk kanë interes në politikë, sipas një studimi të vitit 2014 të mbështetur nga UN Women. Përpara zgjedhjeve të 2017-s, UN Women punoi me partnerë kombëtarë, për të përmirësuar kapacitetet dhe angazhimin e grave si kandidate dhe si votuese.
Këtë vit më shumë se 135,000 të rinj kishin të drejtë të votonin për herë të parë. Për t’i angazhuar UN Women organizoi gjatë muajve prill-qershor konkurse sipar formatit të ‘debatit parlamentar’ me të rinjtë e qarqeve të Gjirokastrës, Korçës, Vlorës, Shkodrës, Durrësit dhe Tiranës ku u trajnuan 100 votues që votonin për herë të parë. Kjo nismë, në bashkëpunim me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dhe universitetet, i informoi të rinjtë për çështje të lidhura me zgjedhjet parlamentare, kuotën gjinore dhe rëndësinë e lidershipit të grave dhe vajzave në proceset zgjedhore.
“Ky projekt na njohu me problematikat që hasin gratë shqiptare në politikë. Tashmë e kuptoj më mirë arsyen përse duhet të ketë një rritje në angazhimin e grave në politikë”, u shpreh studentja, Miljana Dajko. 36 të rinj që ishin pjesë e kësaj nisme u përzgjodhën si fitues të debatit parlamentar në rajonin e tyre dhe u shpallën “Advokues të Barazisë Gjinore”. Ata do të vijojnë të promovojnë tek moshatarët dhe komunitetet e tyre barazinë gjinore dhe demokracinë gjithëpërfshirëse.
Shqipëria ka shënuar progres të rëndësishëm krahasuar me dhjetë vite më parë, kur vendi kishte vetëm nëntë gra në Parlament. UN Women, përmes mbështetjes së jashtëzakonshme të Qeverisë Suedeze do të vazhdojë të mbështese pjesëmarrjen e grave në politikë duke përkrahur Aleancën e Grave Deputete si dhe Aleancat e Grave Këshilltarë për të bashkëpunuar për çështje të rëndësishme të barazisë gjinore dhe të drejtave të grave në vend.
KOHA JONË SONDAZH

