Paskal Milo: Edi Rama synon asgjësimin e së majtës
Kryetari i Partisë Demokracia Sociale, Paskal Milo e konsideron të frikshme fitoren e PS-së në zgjedhjet e 25 qershorit.
Në një intervistë për gazetën “Shekulli”, ish-bashkëpunëtori i Ramës, thotë se me fitoren e thellë të PS-së dhe me një kryeministër i gjithëpushtetshëm ekziston rreziku i vendosjes së një pushteti personal të tij.
Si e konsideroni fitoren e Partisë Socialiste? U bë një fushatë me dështime dhe sulme për kanabisin dhe krimin por populli i besoi Ramës 74 mandate, e bëri timonierin e vetëm siç e kërkoi?
Do ta quaja fitore të frikshme. E konsideroj të tille për shkak se ajo nuk erdhi si rrjedhojë e një ballafaqimi midis premtimeve dhe realizimeve, që normalist në një vend demokratik do të mund të justifikohej në rast se do të kishte një kënaqësi të përgjithshme. Kjo fitore erdhi si rezultat i një mobilizimi maksimalist të të gjitha burimeve njerëzore, financiare, legjitime dhe jo të tilla, nga ana e PS-së, erdhi si rrjedhojë e një agresioni të pashembullt mediatik i lidershipit të PS-së, erdhi si rrjedhorja e një shit-blerjeje masive të votës, e paprecedentë në historinë e pluralizmit shqiptar. Këtë fitore e ndihmoi edhe bujaria e kryetarit të PD-së, Lulzim Bashës që shkoi dhe nënshkroi një marrëveshje kapitulluese me kryetarin e PS-së, gjë që ç’mobilizoi një pjesë të madhe të elektoratit të djathtë, që nuk shkoi për të votuar dhe ndikoi në fitoren e socialistëve për shkak të uljes drastike të votuesve të djathtë.
Kjo fitore i jep mundësi Edi Ramës të përqendrojë të gjithë pushtetin në duar të tij, ashtu siç e ka dëshiruar dhe ëndërruar prej vitesh për të vënë në jetë një platformë personale, që më e pakta do të thosha, një regjim të fortë në një demokraci të dobët.
Mendoni se me vendimin e tij, jo vetëm për të hyrë në koalicion por edhe për të goditur aleatët e tij të deridjeshëm, Rama ka përçarë të majtën?
Ramën duhet ta marrim dhe ta gjykojmë kështu siç është, siç ka qenë dhe siç do të jetë. Kryetari i PS-së është për nga natyra dhe formimi egocentrik dhe ai gjithmonë ka synuar që të gjithë të majtën ta bashkojë rreth vetes së tij, duke qenë i vetmi, i pari dhe pa partnerë politikë. Pra, ai e ka dashur dhe e do të majtën, një të majtë që ka evoluar në konceptim e tij, nga e kuqe në rozë dhe nga rozë në mavi, dhe që nuk ka dashur ta ndajë lidershipin e saj me asnjë tjetër. Kjo ka qenë dilema e tij prej vitesh dhe përpjekja e parë për të zbatuar këtë strategji u bë në prill të vitit 2008 kur ai në bashkëpunim me Berishën bënë një ndryshim të bëftë të Kushtetutës dhe Kodit Zgjedhor brenda një nate.
Ishte vetëm fillimi i një strategjie tepër të qartë për të eliminuar të gjitha segmentet e tjera të së majtës shqiptare dhe për t’i bashkuar ato jo si formacion politik, por si votues rreth vetes së tij dhe Rilindjes. Me këtë agresivitet elektoral që bëri, ai e çoi më tej projektin e vetë për asgjësimin e së majtës, të cilën me sa gjykoj unë ai e quan një koncept të vjetër, një arkaizëm të pluralizmit shqiptar dhe do të përpiqet me ndryshimet e ardhshme Kushtetuese dhe Kodin e ardhshëm Zgjedhor, që ta çojë deri në fund projektin e vetë, pra eliminimin e pluralizimit demokratik në Shqipëri dhe veçanërisht eliminimin e segmenteve të tjera brenda së majtës për ta shkrirë, siç e ka artikuluar shumë qartë gjatë fushatës dhe pas saj, që ai të bëhet lideri i qytetarëve shqiptarë.
Marrë me shkurtime nga Shekulli
KOHA JONË SONDAZH

