Pavlopulos, Metës: Vendimi për Janullatos përmirëson marrëdhëniet mes dy vendeve
Presidenti grek i telefonon Presidentit shqiptar: Vendimi i fundit i shërben klimës së bashkëpunimit dhe përmirëson në mënyrë thelbësore marrëdhëniet mes dy vendeve tona
Presidenti grek Prokopis Pavlopulos i shprehu presidentit të Shqipërisë, Ilir Meta falënderimet e tij për dhënien e shtetësisë shqiptare Kryepeshkopit të Tiranës, Durrësit dhe të gjithë Shqipërisë Anastasi.
Gjatë një bisede telefonike të martën, Presidenti i Republikës së Greqisë Prokopios Pavlopulos theksoi se “vendimi i fundit i shërben klimës së bashkëpunimit dhe përmirëson në mënyrë thelbësore marrëdhëniet mes dy vendeve tona”.
Gjithashtu Presidenti, Ilir Meta pati dje një komunikim telefonik me të njëjtën temë, edhe me ministrin e jashtëm grek Nikos Kotzias.
Mbrëmjen e djeshme presidenti grek, Prokopis Pavlopulos, ka zhvilluar një bisedë telefonike me Kryepishkopin e Tiranës, Durrësit dhe të gjithë Shqipërisë. Anastas, të cilit i shprehu urimet më të mira për festën e Krishtlindjeve dhe kënaqësinë e tij të sinqertë për dhënien e shtetësisë shqiptare, një veprim që vulos sjelljen e tij disavjeçare shembullore dhe si një një qytetar shembull i Shqipërisë.
Më 24 dhjetor Presidenti Meta i dërgoi një letër Kryepeshkopit Janullatos ku e informonte për dekretin e dhënies së shtetësisë.
Presidenti Meta vlerëson se dhënia e shtetësisë është një vlerësim që shteti shqiptar jep për kontributin e Anastas Janullatos në ngritjen e Kishës Ortodokse Shqiptare.
“Në këtë ditë të bekuar të Krishtlindjeve, jam shumë i lumtur t’ Ju bëj me dije se kam marrë vendimin, edhe në vijim të vullnetit Tuaj “…për të vërtetuar lidhjen e pandashme me vendin që doni sinqerisht dhe i shërbeni me vetësakrifikim…”, t’Ju jap shtetësinë shqiptare, nëpërmjet Dekretit të Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Nr. 10700, të datës 22 dhjetor 2017. Duke shprehur bindjen time se ky veprim, jo vetëm përmbush një detyrim institucional, por është edhe shprehje e mirënjohjes ndaj Jush dhe aktivitetit e përkushtimit Tuaj shpirtëror në Shqipëri, Ju uroj sërish Juve, besimtarëve ortodoksë, të krishterë e të gjithë shqiptarëve, të kalojnë Krishtlindje të bukura, të gëzuara dhe të lumtura dhe lutjet e kësaj ditë të shenjtë të sjellin më shumë paqe, dashuri, harmoni e mirëkuptim jo vetëm mes nesh, por edhe mes të gjithë kombeve të botës”,- thuhet në letrën e kreut të shtetit për Anastas Janullatos.
Vendimi i Presidentit është mbështetur nga autoritet politike shqiptare. Kreu i Kuvendit, Gramoz Ruçi e cilësoi një vendim të duhur.
Ndërsa Kryepeshkopi Janullatos, në meshën e ditës së diel për Krishtlindjes, falenderoi personalisht presidentin Meta për këtë vendim.
“Shefi i kabinetit të Institucionit të Presidentit të Republikës, z. Arben Cici, nxitoi në zyrën time sinodike dhe më dha një telegram nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë, z. Ilir Meta, ku më vinte në dijeni se Kryepeshkopit iu dha nënshtetësia shqiptare. Shpreha gëzimin tim për këtë akt dhe falënderimet e mia për Presidentin Meta, por shtova që unë që nga çasti kur u bëra Kryepeshkop dhe erdha këtu në Shqipëri jam ndjerë si një qytetar shqiptar që punon dhe ka përgjegjësi për këtë vend.
Dhe ky vendim që mori Presidenti Meta gëzon shumë ortodoksë në mbarë vendin, të cilët presin prej shumë vitesh që të marrin pikërisht këtë lajm dhe ndjejnë gëzim shumë të madh në lidhje me këtë akt. Përfundoj fjalën time duke thënë se disa gjëra, siç është vera për shembull, me kalimin e kohës ato përftojnë vlerë akoma më të madhe. Përvojën time 25-vjeçare këtu, Presidenti e përshkruan me shumë miqësi dhe brenda letrës së tij i shtohet rëndësi shumë të madhe edhe peshë këtij vendimi që ai ka ndërmarrë.
Bashkë me falënderimet tona të përzemërta, lutja jonë buron me gjithë shpirt nga zemra, që t’i falë urtësi, mençuri, guxim Presidentit tim, z. Ilir Meta, të vazhdojë këtë vepër të tij që ka kaq shumë rëndësi në vend, për më shumë mirëqenie dhe progres. E ardhmja i takon vendit tonë dhe rruga drejt Evropës është tashmë e sigurt”, tha Janullatos.
KOHA JONË SONDAZH

