PD hap fushatën për zgjedhjet. Basha: Ky është ekipi im fitues…
Partia Demokratike ka çelur fushatën për zgjedhjet e 25 qershorit. Kryetari i PD, Lulzim Basha u shpreh se kjo është lista fituese e “Republikës së Re”. Pas reagimeve të shumta për listat e kandidatëve për deputetë të PD, Lulzim Basha ka reaguar për herë të parë.
Duke folur nga çelja e fushatës elektorale të PD për zgjedhjet e 25 qershorit, Basha i ka kthyer përgjigje “gardës së vjetër” të PD që tashmë nuk janë më në listat e kandidatëve për deputetë. Ai tha para mbështetësve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” se ndryshimi më së pari fillon nga vetja.
“Mbrëmë unë dorëzova listën fituese të Republikës së Re në KQZ. Sic e thashë, kam marrë vendime të vështira por jo të papritura. Këtu në këtë shesh pamë se ndryshimi duhet të fillojë nga vetja jonë, nga shtëpia jonë dhe kështu kemi bërë duke sjellë në këtë bashkim përfaqësuesit më të spikatur të shpresave, më të denjë të komuniteteve të ndryshme. Sepse mbi të gjitha Republika e Re është dhe do të jetë republika e vlerave. Vendimet që kam marrë mbrëmë padyshim i kanë ngritur pritshmëritë e çdo shqiptari. Çfarë i shtyu këto zonja e zotërinj t’i bashkohen projektit tonë të madh që themeluam bashkë në këtë shesh? Ca ka vendosur kështu Lulzim Basha? Po po, kjo është Republika e Re, dy prefosorë në krye të dy qarqeve, në Shkodër dhe në Korçë”, tha ndër të tjera Lulzim Basha.
Ajo që bie në sy në çeljen e fushatës së PD është pjesëmarrje e vogël e demokratëve në miting. Nuk dihet nëse PD nuk ka pasur kohë të organizohet për mitingun hapës, apo ky është efekti i parë i përjashtimit nga listat të shumë emrave të njohur në Partinë Demokratike.
KOHA JONË SONDAZH

