PD ngre komisionin. Ja si do të zhvillohen zgjedhjet për garën Basha-Selami
Partia Demokratike ka miratuar procedurat e votimit për zgjedhjen e kryetarit të ri të saj, si dhe rregulloren që do të ndiqet nga strukturat dhe kandidatët deri ditën e zgjedhjeve.
Në një deklaratë për mediat, Jemin Gjana ka bërë me dije ngritjen e një komisioni të posaçëm që do të menaxhojë veprimtarinë parazgjedhore.
Në krye të këtij komisioni do të jetë vetë Gjana, ndërsa do të bëjnë pjesë Tritan Shehu, Enkelejd Alibeaj, Dhurata Çupi dhe Bardh Spahia.
Gjithashtu anëtarë janë dy punonjës të sektorit të organizimit në PD, Minushe Lazaj dhe Albert Avdyli; si dhe 2 anëtarë që përfaqësojnë dy kandidatët, përkatësisht Arben Ibro i propozuar nga Lulzim Basha dhe Riza Xhura i propozuar nga Eduard Selami.
“Komisioni është mbledhur sot dhe ka miratuar udhëzimin e parë që përcakton procedurat e fillimit të procesit. Do ketë nevojë në vazhdim që ne të mblidhemi për përcaktimin e procedurave që kanë të bëjnë me ditën e votimit dhe procedurat e votimit”, ka thënë Gjana.
Gjana ka nënvizuar se, Komisioni ka vendosur kryesitë e degëve të PD në qarqe, që do të ndjekin procesin e votimit në rrethe, që do të mbahet më 22 korrik.
“Çdo degë do të ketë një qendër votimit. Ambjentet ku kryhet votimi miratohen nga degët. Në selinë qendrore të PD do të jetë qendra e votimit të një prej degëve të Tiranës ku do të votojnë veç anëtarëve dhe anëtarët e Kryesisë së PD, Këshillit Kombëtar, deputetët e grupit parlamentar ekzistues dhe ata të sapodalë nga zgjedhjet e fundit parlamentare”, ka vijuar Gjana.
Sipas tij, në çdo qendër votimi do të ngrihet një komision që do të ketë një kryetar dhe në përbërje dy anëtarë të kryesisë së PD dhe përfaqësuesin e kandidatëve për kryetar.
“Fletën e votimit e miraton Komisioni, listën do ta miratojë Komisioni qendror elektoral i Partisë Demokratike jo më vonë se 5 ditë para ditës së zgjedhjeve. Kandidatët duhet të paraqiten brenda datës 12 korrik”, ka shtuar Gjana.
Deklaratë e kryetarit të Komisionit të Organizimit dhe Kontrollit të Operacioneve Elektorale, Jemin Gjana
Jam këtu në zbatim të vendimit të kryesisë për ngritjen e Komisionit të Organizimit dhe Kontrollit të Operacioneve Elektorale të Partisë Demokratike.
Unë jam kryetar i këtij komisioni në përbërje të së cilit janë Tritan Shehu, Dhurata Çupi, Enkelejd Alibeaj dhe Bardh Spahia. Janë gjithashtu dy punonjësit e administratës së Partisë Demokratike të sektorit të organizimit, Minushe Lazaj dhe Albert Avdyli.
Në përbërje të këtij komisioni janë edhe 2 anëtarë që përfaqësojnë dy kandidatët.
Arben Ibro i propozuar nga z. Basha dhe Riza Xhura i propozuar nga z. Selami.
Komisioni është mbledhur sot në mbledhjen e tij të parë dhe miratoi udhëzimin e tij të parë që përcakton procedurat e fillimit të procesit.
Natyrisht në vazhdim do të ketë nevojë që ne të mblidhemi për të përcaktuar procedurat në vazhdim që kanë të bëjnë me momentin e ditës së votimit dhe procedurave të votimit.
Në këtë udhezim bazuar në nenin 46 të Statutit dhe në vendimin nr. 23 të kryesisë të datës 03.05.2017, Komisioni ka vendosur;
UDHËZIM
Nr. 1 Dt. 04.07.2017
Në mbështetje të nenit 46 të statutit të PDSH-së dhe vendimit Nr. 23, dt. 03.07.2017 të Kryesisë së PDSH-së Komisioni i Organizimit dhe Kontrollit të Operacioneve Elektorale (OKOE) vendosi:
- Kryesia e degës së PD-së organizon dhe është përgjegjëse për procesin e votimit për kryetar të PDSH-së që do të zhvillohet me datë 22.07.2017. Në çdo degë të PDSH-së në rrethe do të ngrihet një qendër votimi.
- Ambientet ku do të kryhet votimi miratohen nga Komisioni OKOE me propozim të kryesive të degëve, jo më vonë se data 15.07.2017.
- Në selinë qëndrore të PDSH-së do të ngrihet qëndra e votimit për degën Tirana 2, në të cilën përveç votuesve të kësaj dege, mund të votojnë edhe anëtarët e Kryesisë së PDSH-së, anëtarët e Këshillit Kombëtar, anëtarët e Grupit Parlamentar ekzistues dhe deputetët e dalë nga zgjedhjet parlamentare të datës 25.06.2017, të cilët mund të votojnë edhe në qendrën e votimit të degës ku banojnë.
- Për çdo qendër votimi ngrihet komisioni me përbërjen e mëposhtme:
- Një nga N/Kryetarët e degës, Kryetar.
- Dy anëtarë kryesie.
- Një përfaqësues nga secili kandidat për degën përkatëse.
Kryetari dhe dy anëtarët e kryesisë në përbërje të komisionit të votimit zgjidhen nga kryesia e degës me votim të fshehtë.
- Vendimi i kryesisë së degës për përbërjen e komisionit i njoftohet Komisionit OKOE brënda datës 15.07.2017.
- Degët e PDSH-së janë përgjegjëse për organizimin e takimeve të anëtarësisë me kandidatët sipas grafikut që do dërgohet nga Sekretariati Organizativ i PDSH-së i cili e rakordon këtë grafik paraprakisht me kandidatët në garë.
- Fleta e votimit miratohet nga Komisioni OKOE jo më vonë se 10 ditë para datës së zgjedhjeve.
- Lista e votuesve miratohet nga Komisioni OKOE jo më vonë se 5 ditë para ditës së zgjedhjeve. Kjo listë përmban:
- Rregjistrin eletronik të anëtarësisë së PDSH-së të përditësuar deri në datën 28.06.2017.
- Emrin e çdo anëtari të PDSH-së që disponon një teser anëtarësie ndër vite por që nuk figuron për arsye teknike në rregjistrin e përditësuar elektronik. Këta anëtarë të paraqiten deri në datën 12.07.2017 pranë degëve përkatëse të PDSH-së në rrethe me dokumentin e anëtarësisë që disponojnë. Dega e PDSH-së administron një fotokopje të dokumentit dhe pasi e verifikon, harton një listë shtesë të cilën ia përcjell komisionit OKOE brënda datës 15.07.2017.
- Procedura e votimit:
- Dokumentet e votimit:
- Kartë identitetit
- ose Pasaport biometrike
- orari i votimi:
- hapja e qendrës së votimit: ora 08:00
- mbyllja e qendrës së votimit: ora 19:00
Në qoftë se ka ende anëtarë të PD-së që presin të votojnë përtej këtij orari, qëndra e votimit të mos mbyllet deri në përfundimin e votimit të tyre.
- Kutitë e votimit, fletët e papërdorura, listat e votuesve dhe proces verbali i mbyllje së votimit, administrohen nga Komisioni i Qendrës së Votimit. Anëtarët e KQV i shoqërojnë kutitë e votimit deri në dorëzimin e tyre në Komisionin OKOE, i cili përcakton me udhëzim të posaçëm vendin e dorëzimit, të numërimit dhe modalitetet përkatëse.
- Komisioni i OKOE miraton procedurën e numërimit e cila fillon pas dorëzimit të kutisë së fundit nga degët.
- Komisioni OKOE në përfundim të procesit të numërimit shpall zyrtarisht kandidatin fitues.
- Për çdo shqetësim lidhur me çështjet e trajtuara në pikat 1 deri 12 të këtij Udhëzimi, ankimimet i adresohen Komisionit OKOE i cili merr rast pas rasti vendimet përkatëse.
KOMISIONI I ORGANIZIMIT DHE KONTROLLIT TË OPERACIONEVE ELEKTORALE
KRYETARI
Jemin GJANA
KOHA JONË SONDAZH

