PD-PS debate në Komisionin e Vetingut, Noka: Treshja e paracaktuar nga PS, Shtylla, Rama e Çomo
Ka nisur me debate mbledhja e komisionit të Vettingut për përzgjedhjen e anëtarëve të Kolegjit të Apelit.
Deputeti demokrat, Flamur Noka tha se ky është proces jetik për drejtësinë, duke hedhur akuza në drejtim të Partisë Socialiste se ka paracaktuar anëtarët e këtij Kolegji.
Në komisionin ku po shqyrtohen kandidaturat për Kolegjin e Apelimit, deputeti i PD-së, Flamur Noka gjatë fjalës së tij pohoi se PS ka përzgjedhur si kandidatë Albana Shtyllën, Ina Ramën dhe Sokol Çomon, ndërsa shtoi se ky proces jetik u përçudnua nga kryeministri Edi Rama.
Noka është shprehur para të pranishmëve se vetëm 1 për qind e listës së kandidatëve ishte në rregull.
“Ky proces jetik për drejtësinë pa nisur mirë u përçudnua nga PS e Rama. I kam parë emër për emër, ka vetëm një standard. 99% e listës janë nivel i Ramës, dhe vetëm 1% janë ‘Ok’. Janë militantë apo përfaqësues të Partisë Socialiste. Edi Rama nëpërmjet Avokatit të Popullit ka paracaktuar gjithçka. PS do kalojë Albana Shtyllën, Ina Ramën dhe Sokol Çomon. Albana Shtylla është përfaqësuese e PS në KQZ. Ina Ramën, Rama e fut kudo si fanti spathi.”, tha Noka. Mes të tjerash deputeti i djathtë, theksoi se ata që janë përfshirë në procese politike të mos vijnë fare në komision për kandidim.
Ndërkohë, deputeti tjetër demokrat, Eduart Halimi tha se kandidatët e përfshirë në procese politike duhet të mos vijnë në seancë dëgjimore.
Sakaq, Ervin Bushati tha se: “Nuk keni pse e paragjykoni procesin pa nisur ende. Nga ato që janë paraqitur ka kandidatura shumë të mira”, pohoi ai.
KOHA JONË SONDAZH

