Përjashtimi i opozitës, Paloka: Ky kuvend nuk ka parë gjë akoma
Byroja e Kuvendit përjashtoi 7 deputetë të opozitës me 10 ditë nga punimet e seancave, për protestën e së hënës si në kuvend dhe jashtë saj.
Pas vendimit të kërkuar nga PS-ja, në një reagim për mediat, nënkryetari i PD-së në kuvend, Edi Paloka u shpreh se opozita do të vijojë të mbrojë ligjin dhe kushtetutën dhe se ky kuvend nuk ka parë gjë akoma.
”Ne kemi bërë betimin si deputet se do të mbrojmë kushtetutën dhe interesat e qytetarëve. Ky parlament e ka humbur legjitimitetin dhe ta harrojë kushdo se mund t’i bëjë shantazh deputetëve. Ky parlament nuk ka parë realisht asgjë akoma. Është vendim i marrë nga një parlament ilegjitim”, tha Paloka.

Më tej ai shtoi se nuk ka Byro të Ruçit dhe Ramës që të pengojë opozitën të bëjë detyrën e saj.
”Kemi bërë një betim për të mbrojtur kushtetutën dhe interesat e qytetarëve shqiptarë. Ajo që ndodhi të hënën ishte një shkelje flagrance nga qeveria dhe maxhoranca e kushtetutës. Të gjithë deputetët e opozitës atë ditë bëmë maksimumin e mundshëm për të mbrojtur kushtetutën. Do të vazhdojmë të gjithë bashkërisht në mbrojtje të kushtetutës. Nuk ka Byro të Ruçit dhe Ramës që të pengojë opozitën të bëjë detyrën e saj”, tha Paloka.
Ai e quajti komike autokritikën e socialistit Bujar Çela në Byronë e Kuvendit, pas goditjes së deputetes së LSI-së, Kejdi Mehmetaj.
”Ka edhe një pjesë komike. Kishin thirrur edhe një deputet i cili bëri autokritikë, deputeti që goditi Kejdi Mehmetajn. Gramozi tha se kur bën autokritikë Byroja nuk të dënon”, tha më tej Paloka.
KOHA JONË SONDAZH

