Plasari: Me djegien e mandateve opozita kreu një akt demokratik. Po qeverisemi me metoda neofashiste
Procesi i zgjedhjeve në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë nuk ka kaluar pa sulme mes palëve politike. Për këtë çështje ka folur edhe studiuesi i njohur, Aurel Plasari, i cili ishte i ftuar në emisionin “A Show” në News 24.
Sipas tij, Akademia e Shkencave ka patur nevojë dhe ka ende për një reformim të thellë, ndërsa bëri apel që kjo çështje nuk duhet parë si diçka skajore, por duhet të relativizohet.
Gjithashtu ai foli edhe për krizën politike ku ndodhet vendi. Studiuesi Aurel Plasari tha se përgjatë këtyre viteve ka patur një sërë “atentatesh” ndaj demokracisë në Shqipëri.
Palasari tha se disa ambasadorë i trajtojnë shqiptarët si budallenj duke u thënë që as të mos protestojnë, kur demokracia ka baza të saj protestën dhe reagimin qytetar.
Plasari tha se djegia e mandateve nga opozita, është një veprim i rëndësishëm demokratik, në mbrojtje të demokracisë. Nuk i ka kursyer kritikat profesor Plasari i njohur për kryeministrin Edi Rama.
“Unë e gjykoj që opozita ka ndërmarrë një veprim të rëndësishëm, që ndërmerret në mbrojtje të demokracisë. Ka refuzuar pjesëmarrjen në një parlament që sipas pozitës ishte degraduar, funksiononte në një vend pa gjykatë kushtetuese dhe me shumë hendikape të tjera, me një parlament arrogant, kryeministër arrogant, që thotë vazhdimisht kam vota. Harron që opozita ka një elektorat. Nuk janë ata 10-20 që marrin nëpër gojë. Opozita është gjysma. Edhe nëse është me vogël ajo gjysma tjetër duhet të kesh më shumë kujdes. Kemi të bëjmë me një njeri që nuk i ka kuptuar ndonjëherë këto parime demokratike. Mbasi mori votën u harruar shërbëtorllëku dhe doli arroganti. Në këto rrethana opozita ka bërë një veprim në mbrojtje të demokracisë dhe në rrethana demokratike. Kurrë kryeministri dhe as të huajt nuk kanë thënë që keni bërë një akt demokratik. I jashtëzakonshëm nuk është fare sepse janë tërhequr në ‘24-ën. Këto nuk janë ngjarje që nuk i ka parë bota”, deklaroi Plasari.
Sipas tij, ‘refuzimi për të marrë pjesë në një parlament që e ka quajtur ilegjitim është vendim demokratik për mbrojtjen e parimeve demokratike’. “Arrogantët që qeverisin harrojnë se këta nuk janë ish-deputetë, janë deputetë. Këta i kanë votat, votat nuk ua ka hequr njeri. Ata janë deputetë. Edhe në qoftë se vritet njëri prej tyre vdes si deputet. Edhe të dalë t’i pushkatojë përfaqësuesit e opozitës kjo nuk zhbën ata si përfaqësues të atij elektorati. Ata kanë hequr dorë nga ushtrimi i detyrës në një parlament që e quajnë të inkriminuar”, tha Plasari.
Pjesë nga biseda:
Para dy vjetësh kam shkruar diçka mbi historitë e Akademisë dhe synimi ka qenë për ta relativizuar këtë çështje dhe nuk mund të trajtohet kjo çështje në skaje. Franca ka 28 Akademi. Prandaj mendoj se duhen marrë me qetësi. Ajo akademi ka nevojë për reformim. Unë nuk kam kërkuar të jem pjesë e asaj akademie. Është situatë që do kujdes për t’u shprehur për të dhënë mësime, sepse s’jam pyetur. Kam patur marrëdhënie korrekte me Akademinë
Ju e mbështesni ekzistencën e saj në Shqipëri?
Strukturat akademike janë të nevojshme. Këto akademi që varen nga autoriteti i lartë do ta vuajnë këtë karakteristikë në kuptimin e pavarësisë. Edhe për sistemin universitar flasim për autonomi. Brezi i vjetër që del në pension është i rëndësihëm fakti se çfarë promovon.
Jemi ne një krizë?
Jemi në një varg antentatesh që i janë bërë demokracisë. Këto metoda mund të quhen neofashiste.
Si studiues, këtij burri 55-vjeçar si do ti qaset historia?
Ai vetë është futur në histori, por profesionalisht thuhet se ende nuk është bërë ngjarje historike. Nuk ka ndonjë parim që të futesh në histori. Ka shumë mënyra se si futesh në histori. Por këtë nuk mund ta themi se persona dhe personaliteti i tij nuk është shndërruar në një ngjarje historike. Është bërë ngjarje historike tashmë ngjarjet e ’90. Tani mund të shkruhet libër qetësisht, por ekziston problemi se ka ende persona gjallë, por historia e thotë të vërtetën.
KOHA JONË SONDAZH

