“Plehrat”, Balla: Nga mbetjet merrnim ndotje, sot marrim energjinë elektrike

Në lulishten e re, të ndërtuar në vendin që deri pak kohë më parë quhej “Fusha e plehrave” u zhvillua një takim elektoral ku ishte i pranishëm edhe kryeministri Edi Rama.

Në fjalën e tij, kryesuesi i listës së PS në qarkun e Elbasanit për zgjedhjet e 25 Qershorit, Taulant Balla u shpreh se: “Nuk kishte dyshim që takimin tonë të parë në këtë fushatë zgjedhore do ta fillonim këtu, që për gjithë Elbasanin është simbol i asaj që quhet Shqipëria që duam, sepse nuk ka një ndryshim më të madh sesa historia e tmerrshme e kësaj fushe, e cila prodhonte veçse sëmundje.
Unë çdo ditë, bashkë me ju, po shkel çdo lagje të qytetit dhe të gjithë thonë “faleminderit për punën e shkëlqyer që bëtë”, por ajo që ne i themi është që nuk jemi të kënaqur nga ajo çfarë kemi arritur deri tani, e duam t’i themi çdo banori që puna jonë nuk do të reshtë pa urbanizuar çdo lagje të Elbasanit nga Krasta, Fush Mreti, 5 Maji dhe gjithë rrethinat e Elbasanit, që presin prej nesh një proces të madh urbanizimi.”

Përsa i përket legalizimeve, Balla tha se kemi çuar shumë përpara dhe kemi një histori të madhe suksesi në Elbasan. “Ju e mbani mend, deri në 2013 në Elbasan ishin legalizuar 365 ndërtesa, lokale, hotele, motele. 1 legalizim në 8 ditë, ndërsa ne deri më sot kemi bërë mbi 14 000. Procesi i legalizimit do të ecë krah për krah me procesin e urbanizimit. Kemi plot lagje në Elbasan që kemi për të bërë punë të rëndësishme përsa i përket kanalizimeve të ujrave të zeza.”

Swiss Digital Desktop Reklama

Duke u ndalur tek ndriçimi publik, Balla u shpreh se: “Kemi plot lagje që presin prej nesh që në 4 vjeçarin e ardhshëm të fokusohemi tek ndriçimi publik. Dua t’ju them sot, që ne jo vetëm ishim bashkia e parë në Shqipëri që bëmë të mundur projektin më të madh të një cikli të plotë të përpunimit të mbetjeve dhe nga kjo prodhojmë energji elektrike dhe avull për serat, por ne do të jemi dhe bashkia e parë në Shqipëri, e cila përmes një partneriteti publik-privat do të realizojë ndriçimin publik më të mirë në të gjithë Shqipërinë, përfshirë edhe të gjithë qendrat e njësive administrative të Elbasanit. Dua të falenderoj USAID, e cila ka mbështetur këtë projekt të bashkisë Elbasan, e cila do t’i ofrojë një ndriçim edhe më të mirë publik Elbasanit. Nëse në 2013 nga mbetjet ne merrnim vetëm ndotje, sot nga mbetjet do të marrim energjinë elektrike për të furnizuar ndriçimin publik të qytetit tonë” – tha Balla.

Swiss Digital Mobile Reklama

Kryesuesi i listës së PS në qarkun e Elbasanit ka komentuar edhe listën e kandidatëve të PD për këtë qark. “Më vjen keq që na kanë vënë përballë një skuadër shumë të dobët, por nuk kemi çfarë t’i bëjmë. Të vetmen gjë kur zbret në fushë betejë: nuk mund të zgjedhësh skuadrën kundërshtare. Aq janë, madje nuk patën mundësi as ta mbushin ekipin, sepse ekipi duhet të kishte minimalisht 14 lojtarë; ata nuk gjetën dot më shumë se 8. Por ne duhet të shkojmë në çdo cep të Elbasanit e t’u flasim njerëzve për gjithçka kemi bërë e t’u kërkojmë ndjesë për gjithçka që ne nuk arritëm të bëjmë në këtë 4 vjeçar. Është e vërtetë që Edi Rama kishte timonin e drejtimit të qeverisë, por ne jo vetëm që duhet të kemi timonin, por duhet të kemi edhe marshet e shpejtësisë së lëvizjes të qeverisë tonë” – theksoi Balla.

Në vijim, Balla theksoi: “Kësaj rradhe beteja jonë është beteja më e rëndësishme në 25 vjet. Kjo betejë bëhet jo vetëm për të garantuar shpjetësinë e lëvizjes së Shqipërisë drejta anëtarësimit në BE, por kjo betejë është edhe një referendum për gjithçka bëri PS për të çuar përpara reformën në drejtësi.
I bëj thirrje çdo demokrati të Elbasanit që më ka thënë “bravo ju qoftë, për gjithçka bëtë për reformën në drejtësi” dhe më kanë thënë që janë të zhgënjyer sesi partia e tyre 25 vite më parë u ngrit për ta bërë Shqipërinë si gjithë Europa. Një ditë të bukur fliste nga çadra kundër Europës dhe kundër SHBA.
Askush nuk duhet ta harrojë sjelljen e pakuptimtë për të penguar reformën në drejtësi, dhe unë bëj pjesë tek ata që nuk besoj që PD ka ndryshuar mendje. Ende në mendjet e tyre mund të ketë ide për ta bllokuar më pas, e prandaj ne kemi nevojë që PS të ketë një mazhorancë absolute, për të garantuar që cilësia e kësaj reforme të mos preket. Ne i kemi miratuar 7 ligjet, por kemi plot 32 ligje të tjera që presin në 9 shtator të fillojmë punën për t’i miratuar. Ne nuk duhet të kemi në këtë betejë asnjë pengesë”.

Në përfundim të fjalës së tij, deputeti Balla tha se Shqipëria që duam ka nevojë për drejtimin e duhur dhe ajo që të gjithë sot e thonë, Partia Socialiste, ka dy avantazhe që nuk i ka asnjë prej skuadrave të çala që kanë zbritur në fushë deri më tani. “Kemi ekipin që duhet, por ajo që na veçon ne nga gjithë skuadrat e tjera, ne kemi super kapitenin e duhur për të na drejtuar në një fitore madhështore më 25 qershor. Ai quhet Edi Rama, kryeministri i Shqipërisë sot, më 25 Qershor dhe kryeministri i Shqipërisë që do të hapë negociatat me BE.”

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Kush mendoni se duhet të jetë në emër të PD dhe opozitës kandidat për kryebashkiak në Tiranë?