Presidenti rrëzon një ligj për favore ndaj të pasurve

Sot Presidenti Meta me dekretin presidencial rrëzoi njërin nga ligjet e paketës fiskale për vitin 2019, pikërisht atë për disa ndryshime në ligjin aktual për “tatimin mbi të ardhurat”. Ky ligj i kthehet për rishqyrtim  Kuvendit, fill pas mos dekretimit të ligjit për buxhetin e vitit 2019. Mësohet se arsyeja kryesore për rrëzimin e këtij ligji është favorizimi që qeveria i bën korporatave dhe shtresës më të pasur të shoqerisë duke ulur ndjeshëm tatimin mbi dividendin nga 15 % ne 8%.

Kjo “dhurata” e qeverisë për korporatat dhe aksionerët e pasur, në prag të festave të fundvitit dhe në vigjilje të zgjedhjeve të ardhshme, nuk është një surprizë. Ka mbi 3 vite që biznesmenë të fuqishëm të lidhur me qeverinë dhe Ministrin e Financave kanë lobuar për këtë “amnisti fiskale” ekskluzive. Mjafton të shikosh “gropën” në buxhet duke krahasuar vitin 2013, ku të ardhurat buxhetore nga tatimi mbi dividendin ka qenë mbi 31 milion $, me vitin 2017 ku janë mbledhur më pak se 2 milion$, pra 16 herë më pak aksionerët e pasur kanë kontribuar për arkën e shtetit. Paradoksi është qe fitimet e korportave kanë qënë relativisht të larta, ndërkohë që të ardhurat buxhetore nga tatimi mbi dividendin kanë qënë në pikjatë në këto 3 vite.

Interesante është dhe argumenti i Metes se ky ligj përmbys sistemin e taksimit nga ai progresiv në atë regresiv, çka në fakt është kundër llogjikës dhe programit të qeverisë Rama, e cila erdhi në pushtet me devizën “kush fiton më shumë duhet të paguajë më shumë”. Është e pafalshme që mundi dhe djersa e kapitalit njerëzor, pra pagat, sot taksohen deri në 23% për tatimin mbi të ardhurat, ndërsa me ligjin e ri aksionerët e pasur që fitojnë miliona euro do taksohen vetem 8%.

Swiss Digital Desktop Reklama

Në vazhdën e mega-skandaleve me abuzimet e frikshme të fondeve publike siç është projekti i Unazës së Madhe, apo dhjetëra konçesioneve me vlerë qindra miliona euro në skemat e PPP-ve, oligarkët dhe shtetarët nuk po “ngopen”, por kërkojnë me ligj të krijojnë “parajsën” e tyre fiskale në Shqipëri.

Swiss Digital Mobile Reklama

Mesa duket, qeveria e majtë Rama nuk rresht “kryqëzatën” me gjoba dhe ndëshkime për “qindarkat” e  të varfërve, ndërsa “qeras”  me miliona euro nga xhepat e “grisur” të taksapaguesve tek  të pasurit dhe oligarkët.

Njoftimi i plotë i Presidencës:

Në respekt të ushtrimit të së drejtës të parashikuar në pikën 1 të nenit 85 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, Institucioni i Presidentit të Republikës bën me dije se me Dekretin nr.11015, datë 20.12.2018, Presidenti i Republikës ka vendosur kthimin në Kuvend të ligjit nr. 94/2018 “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 8438, datë 28.12.1998, “Për tatimin mbi të ardhurat” të ndryshuar, me qëllim rishikimin e nenit 9 dhe nenit 11 të këtij ligji, bazuar në argumentat e mëposhtme:

1. Neni 9, i ligjit nr.94/2018, bie në kundërshtim me parimin kushtetues të “barazisë përpara ligjit” dhe krijon pasiguri juridike përsa i takon aplikimit të tij në praktikë. Nisur nga përkufizimi i nenit 9, del qartazi se kemi të bëjmë me një dispozitë ligjore me efekt prapaveprues, në trajtën e një “amnistie fiskale”, ku nuk përcaktohet qartë shtrirja kohore e saj.

Neni 9 i ligjit nr.94/2018, është në kundërshtim të hapur me parashikimet e nenit 155 të Kushtetutës, i cili ndalon trajtimin fiskal preferencial me efekt prapaveprues.

Neni 9 krijon pabarazi fiskale në raport me individët, apo aksionerët të cilët gjatë gjithë këtyre viteve e kanë shpërndarë dividendin deri në vitin 2017, duke zbatuar një normë tatimi prej 15%, ndërkohë që me nenin 9 të ligjit të miratuar, aksionerët të cilët nuk e kanë shpërndarë dividendin deri në 2017, tashmë do të përfitojnë një lehtësim fiskal duke aplikuar një tatim fitimi prej 8%.

Neni 9 krijon paqartësi dhe mundësi abuzivizmi ndaj bizneseve dhe aksionerëve për shkak se nuk përcakton saktësisht normën 8 % apo 15 %, si dhe mënyrën se si do të tatohet dividendi që i përket fitimeve të pashpërndara të viteve 2017 dhe më parë, në rast se subjekti tregtar nuk e respekton apo e tejkalon afatin e parashikuar në këtë nen për pagesën e tatimit mbi dividendin (30 shtator 2019) dhe është në kushtet kur nuk ka marrë një vendim për shpërndarjen e dividendit, për periudhën e diktuar nga ligji.

2. Neni 11, i ligjit nr. 94/2018, bie ndesh me parashikimet e nenit 84 pika 3 të Kushtetutës, përsa i takon afatit të hyrjes në fuqi të këtij ligji.

Neni 11, i ligjit nr. 94/2018 të miratuar dhe të paraqitur për dekretim dhe shpallje, parashikon se: “Ky ligj botohet në Fletoren Zyrtare dhe hyn në fuqi më 1 janar 2019”. Në këtë mënyrë kjo dispozitë bie ndesh me parashikmet e nenit 84 pika 3, të Kushtetutës që diktojnë detyrimin që ligji duhet të hyjë në fuqi jo më parë se 15 ditë nga botimi i tij në fletoren zyrtare. Referuar kërkesave të Kushtetutës, është objektivisht e pamundur që ligji nr. 94/2018, të hyjë në fuqi më datën 1 janar 2019.

Në një vlerësim dhe analizë më të përgjithshme të kuadrit fiskal, ky ligj përmbys sistemin dhe barazinë fiskale, duke e kthyer sistemin e taksimit progresiv në regresiv, sepse favorizon ndjeshëm shtresën më të pasur të shoqërisë.

Presidenti i Republikës i kërkon Kuvendit të rishqyrtojë këto dy nene me qëllim që ato të mos bien ndesh me parashikimet Kushtetuese, ku përfituesit real të lehtësirave fiskale të parashikuara në këtë ligj, të jenë të gjithë qytetarët shqiptarë dhe biznesi, pa diferencime dhe me trajtim të barabartë.

Argumentat e shtjelluara mbi kthimin për rishqyrtim të nenit 9 dhe nenit 11, të ligjit nr. 94/2018 “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 8438, datë 28.12.1998, “Për tatimin mbi të ardhurat” të ndryshuar, mund t’i gjeni në faqen zyrtare të institucionit të Presidentit të Republikës.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A po e rrezikojnë pushtetin absolut të Ramës, deputetët Braçe dhe Spiropali?