PS e PD ndezin motorrët, mbledhin sot grupet parlamentare respektive

Një ditë para se të mblidhet seanca e parë plenare për konstituimin e parlamentit të ri, ditën e shtunë, Partia Socialiste dhe Partia Demokratike do të mbledhin ditën e sotme grupet respektive parlamentare. Konkretisht, Partia Socialiste do të mbledhë grupin parlamentar në orën 12:00 të mesditës. Do të jetë Gramoz Ruçi që do të drejtojë mbledhjen e grupit parlamentar socialist për herë të fundit, pasi do të drejtojë Kuvendin për 4 vitet e ardhshme, ndërsa në vendin e tij do të jetë Taulant Balla, dhe i cili do të prezantohet pikërisht nga kryetari historik i grupit të ligjvënësve socialistë.

Grupi demokrat

Ndërsa kryedemokrati Lulzim Basha që do të rikthehet në Kuvend të shtunën pas 6 vitesh do ta mbledhë grupin parlamentar të PD-së pasditen e sotme në selinë blu. Sipas burimeve nga PD-ja nga kjo mbledhje që pritet të mbahet rreth orës 18:00 do të vendoset edhe për emrat e rinj për Kryesinë e grupit parlamentar. Të njëjtat burime bëjnë me dije se kjo mbledhje do të diskutojë edhe për objektivat e grupit parlamentar demokrat në nisjen e sesionit të ri, por mund të përfshihet në axhendën e diskutimit edhe kundërshtimi i emrave në kabinetin e ri qeveritar që kanë lidhje me të shkuarën komuniste. Nga ana e saj, Partia Demokratike gjatë këtyre javëve  kanë kundërshtuar emrat e Rucit i propozuar nga kryesocialisti Edi Rama për postin e kreut të Kuvendit dhe Fatmir Xhafajt i propozuar për drejtimin e Ministrisë së Brendshme në katër vitet e ardhshme. Ndërkohë sa i përket emrave të Kryesisë së grupit parlamentar më herët në media është raportuar se në këto poste përfliten deputetët: Enkelejd Alibeaj si kryetar i grupit, Dhurata Çupi nënkryetare e parlamentit, nënkryetar i grupit Edi Paloka, sekretar Eduart Halimi dhe zëdhënëse e grupit Grida Duma. Ndërkaq në krye të komisioneve parlamentare që do të drejtojë opozita pritet të propozohen Jorida Tabaku tek Integrimi, tek Komisioni i përhershëm Parlamentar i Arsimit Luçiano Boçi dhe tek Komisioni i Shëndetësisë përflitet emri i ish-ministrit demokrat Tritan Shehu, por nuk përjashtohet që drejtimi i këtij komisioni t’i besohet sërish deputetes Albana Vokshi.

Swiss Digital Desktop Reklama

Seancat e nesërme

Swiss Digital Mobile Reklama

Paraditen e nesërme, ndryshe nga sa ishte thënë më parë, mund të bëhet jo vetëm konstituimi i parlamentit të ri të dalë nga zgjedhjet e 25 qershorit, por mund të bëhet edhe dekretimi dhe votimi i qeverisë. Më parë mendohej se votimi i dekreteve do të bëhej të hënën, në 11 shtator. Por, mesa duket, vizita zyrtare e Presidentit Ilir Meta në Itali ka shpejtuar procedurat. Në bazë të Kushtetutës, pas votimit, kryeministri dhe ministrat bëjnë një ceremoni betimi formal në Presidencë. Po nesër, më 9 shtator nis legjislatura e 9 e Kuvendit të Shqipërisë e dalë pas zgjedhjeve të 25 qershorit. Pas dekretit nga Presidenti i Republikës të datës 29 gusht për thirrjen e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, sekretaria e parlamentit, njoftoi se seanca e parë do të mbahet më datën 9 shtator, ora 10:00. Direkt pas mbledhjes, Kuvendi do të zgjedhë Këshillin e Përkohshëm të Verifikimit të Mandateve i cili përbëhet nga 9 deputetë që do të shqyrtojnë dokumentacionin e çdo deputeti. Deputetët që do të përbëjnë Këshillin e Përkohshëm të Verifikimit të Mandateve propozohen nga grupet parlamentare dhe zgjidhen me 71 vota. Brenda dy ditësh, Këshilli duhet të dorëzojë në Kuvend raportin për vlefshmërinë e mandateve të deputetëve. Mësohet se ky këshill do e bëjë këtë raport brenda ditës së shtunë dhe më pas në po këtë ditë në orën 18:00, seanca parlamentar do të mblidhet sërish që deputetët e rinj të bëjnë betimin e tyre. Në seancën e pasdites do të zgjidhet edhe kreu i ri i Kuvendit, ku deri tani ka vetëm një propozim dhe ai është Gramoz Ruçi. Zgjedhja e kryetarit të kuvendit bëhet pa debat. Në seancën e orës 10:00, me propozim të drejtuesit të seancës, i cili parashikohet të jetë deputeti më i vjetër në moshë, caktohen 3 deputetët më të rinj të kuvendit si sekretarë të tij deri në ngritjen e Byrosë. Deputeti më i vjetër në moshë është Sali Berisha, dhe nëse ai nuk pranon të hapë legjislaturën siç ndodhi edhe 4 vite më parë, deputeti më i vjetër pas zotit Berisha, është deputeti i opozitës Tritan Shehu. Në këtë sesion të ri parlamentar, Partia Socialiste ka 74 mandate dhe drejton e vetme qeverinë. Partia Demokratike është forca e dytë politike,  por e para në opozitë, në këtë sesion parlamentar ka 43 mandate, LSI në opozitë gjithashtu ka 19 mandate, PDIU 3 mandate dhe PSD 1 mandat./H.Mesi

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Kush mendoni se duhet të jetë në emër të PD dhe opozitës kandidat për kryebashkiak në Tiranë?