Qeveria hedh poshtë propozimet e Braçes, Rama: S’u bë deti kos
Edhe pse mungon opozita, në seancën e kësaj të hënë në kuvend, nuk kanë munguar debatet brenda maxhorancës. Kjo e fundit ka rrëzuar amendamentin e propozuar nga kryetari i Komisionit të Ekonomisë, Erion Braçe, në kuadrin e ligjit për paketën fiskale dhe buxhetin e vitit 2019, që po votohet nen për nen në seancën plenare të kësaj të hëne.
Deputeti i PS-së, Erion Braçe propozoi rritje të TVSH-së për kazinotë, që do ta zhvendosin prej janarit të vitit të ardhshëm veprimtarinë e tyre vetëm në hotele me 5 yje, nga 15% që është aktualisht në 30%.
Por kjo u refuzua me votë nga shumica parlamentare, kryesisht bashkëdeputetë socialistë. Kryeministri Rama mori menjëherë fjalën në këtë rast, për të sqaruar se një gjë e tillë bëhet pasi ”nuk mund të rrisim një taksë për diçka që nuk e kemi për momentin”.
Nga ana tjetër, maxhoranca nuk mbështeti as propozimin e dytë të Braçes për heqjen e tatimit mbi pagat deri në 40 mijë lekë. Aktualisht për pagat deri në 30 mijë lekë tatimi është zero, ndërsa Braçe kërkoi që fasha të bëhej deri në 40 mijë lekë por është rrëzuar.
Maxhoranca rrëzoi të gjitha amendamentet e propozuara nga kryetari i Komisionit të Ekonomisë, Erjon Braçe.
-Kërkoi mosndryshimin e taksës minerare. Kuvendi e rrëzoi.
-Kërkoi rritjen e taksës për lojërat e fatit nga 15% ne 30%. Kuvendi e rrëzoi
-Kërkoi rritjen e fashës së pagës që nuk tatohet nga 30 mijë lekë në 40 mijë lekë. Kuvendi e rrëzoi
-Kërkoi që taksa e ndërtesës për Organizatat e personave me aftësi ndryshe dhe libraritë të jetë zero. Kuvendi e rrëzoi: 17 pro 44 kundër 13 abstenim
Erjon Braçe: Ka ardhur koha të ndryshojë ligji për tatimin mbi të ardhurat. Ka ardhur momenti që ligji të rishikohet dhe në këtë kontekst, ky vend ka nevojë të mbrojë një fashë të ardhurat të domosdoshme për cdo familje. Ndodh që të ardhurat të jenë nga një rrogë, apo të tjera nga qira dhënia apo aksionet. Ne duhet të bëjmë një debat për të integruar të gjitha të ardhurat për ti deklaruar dhe për t’ia nënshtruar një takimi progresiv. Duhet të mbrojmë të ardhurat e ulëta, minimale. Duhet ta bëjmë edhe ne, pasi ndodh në cdo vend të Europës. Nga shuma e pagave gjatë 2017, prej 20 mld lekësh, paga deri 40 mijë lekë zënë vetëm 2.5% të totalit. Jemi në hapat e para të këtij fenomeni. Jemi në momentin e duhur për t’u përballur me një problem madhor që ka të bëjë me pabarazinë. Nëse sot buxheti nuk ka mundësi pasi fatura shkoka 4.6 mld lekë ta bëjmë diskutim në vijim që të kemi një ligj.
Ministri Arben Ahmetaj: Taksa e sheshtë u merrte shqiptarëve 10% nga paga. 97% e të punësuarve kanë ulje takash. Ata nga 1-30 mijë lekë pagën e kanë të përjashtuar nga tatimi. Taksimi nga 30-40 mijë lekë është simbolik. Përsa u përket të ardhurave nga kapitali nga 0-5 mln e kemi zero, dhe nga 5-14 mln lekë e kemi 5%. Kemi një pasqyrë të konsoliduar që e ndihmon punësimin dhe ruan një balancë të drejtë. Do të sugjeroja ta rrëzonim amendamentin.
Kryeministri Edi Rama: Tani duke qenë se është bërë për një periudhë jo të vogël ky debat. Mos harrojmë që FMN kërkoi në 2013 për të filluar taksimin nga 15 mln lekë e kemi refuzuar. Është mirë që të mos dalim nga konteksti, kemi pasur një periudhë të vështirë për të vendosjen e rregullit. Ekonomistët i vlerësojnë shumicat edhe për atë që nuk ndodh. Kjo parti ka meritën që ka penguar që të ndodhë një katastrofë e dytë përveç asaj të 1997, ishim në prag falimentimi më pas filluam reformat. Paga 30-40 mijë lekë është mirë ta kujtojmë që taksoheshin 10%, tani 1.89%. Ata që janë 30 e poshtë nuk paguajnë asgjë. As të zbresim te 15 mijë lekë tatim as të zërojmë mbi 30 mijë lekë. Deti nuk u bë kos, këtu jemi më pas do të bëjmë më shumë duke krijuar më shumë mundësi.
KOHA JONË SONDAZH

