Rama kërcënon kryebashkiakët e opozitës: Do ju ndëshkoj
Kryeministri Edi Rama ka kërcënuar me masa ligjore gjithë drejtuesit vendorë që, sipas tij, nuk zbatojnë ligjin për zhvillimin e zgjedhjeve më 30 qershor. “Kryebashkiakë demokratë! Mos bini viktimë e katërshes Sali Berisha, Ilir Meta, Lulzim Basha, Monika Kryemadhi duke nxjerrë pengesa për zgjedhjet. Referojuni ligjit jo hallit të tyre të madh e as zhurmës së tyre të kotë. Nuk ju nxori PS nga gara po ata dhe ata duhet të përgjigjen para jush, jo ju para tyre. Ligji s’ka mëdyshje”,- shkruan Rama në një postim në Facebook.
Bashkitë që drejtohen nga Partia Demokratike, Lëvizja Socialiste për Integrim dhe Partia për Drejtësi Integrim dhe Unitet kanë nisur mbylljen e zyrave të Komisioneve Zonale të Administrimit Zgjedhor (KZAZ). Vendimi vjen pas dekreti të Presidentit të Republikës, Ilir Meta, i cili anuloi datën e zgjedhjeve të 30 qershorit. Pas publikimit të vendimit në Fletoren Zyrtare, krerët e këtyre bashkive kanë njoftuar Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, institucionin e Prefektit, Ministrinë e Brendshme dhe Kryeministrinë, për largimin e zyrave të komisioneve zgjedhore që organizojnë zgjedhjet.
Bashkitë që kanë nisur largimin e zyrave dhe listave të zgjedhësve janë; Kukës, Mat, Skrapar, Delvinë, Përrenjas, Dropull, Gjirokastër, Berat, Rrogozhinë, etj.
KOHA JONË SONDAZH

