Rama në “pedonalen e abuzimit” të kallëzuar nga KLSH
Takimin e llogaridhënies me qytetarët e Bashkisë së Belshit, Kryeministri Edi Rama e organizoi në pedonalen e re të kësaj qyteze, të ndërtuar falë programit “Rilindja Urbane”.
Kryeministri, që në krah kishte edhe deputetë të zonës dhe kryebashkiakun e qytetit, Arif Tafani kujtoi periudhën kur shkonte në këtë qytezë për të bërë fushatë dhe peripecitë e organizimit të fushatës.
“Mblidheshim në një gjysmë rruge këtu dhe pjesa tjetër ishte e gjitha e shkatërruar e gërmadhë”, deklaroi ai.
“Rilindja Urbane” vërtet ka ndryshuar Belshin, por me çfarë kostoje? Sipas KLSH-së, pothuajse të gjithë tenderat për përmirësimin e infrastrukturës në Bashkinë e Belshit janë gjetur me shkelje nga auditimet e kryera.
KLSH paditi në fillim të javës në prokurori kryetarin e kësaj bashkie, Arif Tafani. Bashkë me të edhe Drejtorin e Bujqësisë, ish-përgjegjësin e urbanistikës, ish-juristen si dhe tre punonjës të tjerë që kanë mbikëqyrur punimet në të paktën dhjetë projekte të rilindjes urbane.
Dëmi i shkaktuar, sipas KLSH-së është 4.3 miliardë leke, nga të cilat 800 milionë në fushën organizative të projekteve, 2 miliardë e 860 milionë përdorim fondesh pa eficencë dhe të ardhura të munguara 660 milionë lekë.
Sipas verifikimit nga KLSh dilet në përfundimin se firmat fituese nuk plotësonin kriteret e Drejtorisë së Standardeve dhe kryen punime me cilësi të dobët. Një nga këto projekte është edhe pedonalja e Belshit, për të cilën edhe Top Channel ka denoncuar ditë më parë punimet e dobëta në ndërtimin e saj.
KLSH në raportin dërguar prokurorisë thotë se ka gjetur shkelje në 14 procedura në total, nga të cilat 10 prokurimi dhe 4 zbatimi, që të gjitha në fushën e infrastrukturës. Gjatë auditimit u konstatuan shkelje dhe parregullsi të dispozitave ligjore në fushën e prokurimit publik, kryesisht në përzgjedhjen e procedurës së prokurimi, vlerësimin e ofertave ekonomike duke vepruar me dy standarde vlerësimi dhe zbatimin e investimeve.
Top Channel
KOHA JONË SONDAZH

