Rama paralajmëron ‘doganierët me bluxhins’: Do ikin në 100 ditët e para. Ristrukturim çdo Inspektorati
Kryeministri Edi Rama ka shpërthyer në akuza ndaj punonjësve dhe zyrtarëve që ‘iu nxijnë’ jetën sipërmarrësve dhe çdo biznesmeni.
Nuk kanë bërë përjashtim agjentët doganorë, për të cilët Rama tha se do të zhduken brenda 100 ditëve të para të qeverisjes.
Kryeministri iu premtoi sipërmarrësve lehtësira dhe heqje të burokracive që i shërben zhvillimit të tyre dhe rritjes së ekonomisë.
“Teatër shumë i shëmtuar prej shumë vitesh deri tek shumëçka tjetër që lidhet me mënyrën se si zhvillohet marrëdhënia e sipërmarrjes me shtetin dhe të gjitha pikat ku sipërmarrja është lidhur me shtetin. Besoj që ju keni eksperienca të jashtëzakonshme në budallallëqet e administratës dhe marrëzitë që kërkohen prej jush kur duhet të mbushni një dokumentacion…Kur do flisni me ata doganierët me jelek bluxhins në doganë që do largohen brenda 100 ditëve të para. Mirë që na e dha populli votën se na dukej sikur po ngacmonim komshinjtë… Me ata zhabulanë atje që me demek se ndërmjetësojnë proceset midis shtetit dhe sipërmarrësve. Shëmtojnë pamjen jo më të tjerat, si në portin e Durrësit”, tha Rama.
Ai kujtoi edhe pezullimin e policisë tatimore, për të cilën tha se do fshihet nga legjislacioni, ashtu siç do shkrihen dhe shumë inspektorate, të cilat i quajti banda dhe i bien në qafë atyre që punojnë.
“Policinë gri e nxorëm në kazermë deri sa të fshihen nga legjislacioni për fare.
Do bëjmë ristrukturim të Inspektorateve që janë banda që lëshohen në emër të mjedisit, mbrojtjes së ajrit, kullotave dhe kujt i bien në qafë, çdo njeriu që bën një punë, që merr një kazmë për të punuar”, deklaroi Kryeministri.
KOHA JONË SONDAZH

