Rama premton hipoteka brenda 30 minutash me sistemin e ri
Kryeministri Edi Rama, gjatë një bashkëbisedimi me qytetarët e Qarkut të Fierit, premtoi se me sistemin e ri që do të krijohet në vend, marrja e hipotekës do të realizohet maksimumi për 30 minuta.
Por, pikë së pari kryeministri tha se punës duhet t’i gjejmë njeriun, “jo njeriut t’i gjejmë punë. Sepse nëse i gjejmë njërit një punë që ai nuk e bën dot, vërtetë mund të rregullojmë njërin në kuptimin që nga i papunë u punësua, por shkatërrojmë punën e qindra nganjëherë mijëra të tjerëve.”
Rama tha se pavarësisht problemeve me burimet njerëzore, çdo bashki i ka aq kapacitete të mjaftueshme për aq drejtues që duhen për një administratë të përgjegjshme, por shtoi se nuk është problemi vetëm tek njerëzit.
“Mund t’i heqim ne të gjithë drejtorët e hipotekave siç u hoqën, mund të marrim të rinj dhe mund të bëjnë të njëjtën gjë. Çështja është tek reformimi i sistemit të punës. Prandaj ne në rastin konkret do ta ndryshojmë krejtësisht sistemin duke mos pasur edhe komision pronash, edha AKLUIZNI edhe hipotekë, edhe, edhe, edhe, por duke pasur vetëm një institucion, dhe njerëzit të mos shkojnë në shumë pika. Vajta tek hipoteka ma dha, shkova tek ALUIZNI s’ma dha…
Një institucion i vetëm, një Agjenci Kombëtare e Titujve të Pronësisë që do të marrë përsipër së pari regjistrimin përfundimtar të të gjithë titujve të pronësisë në të gjithë Republikën e Shqipërisë dhe si rezultat dhënien e hipotekës brenda 30 minutash në maksimum, siç ndodh në të gjithë vendet normale, jo shko kap njërin kap tjetrin, por shko tek zyra, bëj kërkesën dhe del vetë titulli i pronësisë. Kjo është një gjë e domosdoshme”, tha Rama.
KOHA JONË SONDAZH

