Raporti i KE, Gjosha për ”KJ”: 7 pika kyçe rrëzojnë qeverinë
Nga: Redjon Shtylla
Komisioni Europian nuk doli jashtë kornizës së pritshmërive dhe rekomandoi çeljen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. ”Koha Jonë”, kontaktoi me ish-ministren e Jashtme, Klajda Gjosha, ku ju drejtua me këtë pyetje: Komisioni Europian rekomandoi çeljen e negociatave me Shqipërinë. Si e analizoni këtë vendim pozitiv? Në disa pika u vu theksi për mungesën e shtetit ligjor por eurodeputetët nga ana tjetër folën pro zgjedhjeve të 30 qershorit?
Për Gjoshën, rekomandimi pozitiv për çeljen e negociatave të Shqipërisë nuk është një surprizë dhe për të nuk është hera e parë që ky vendimin jepet për vendin tonë. Është rekomandimi i katërt që nga viti 2016. ”Raporti në brëndësinë e tij ngre çështje serioze që kanë të bëjnë me mos funksionimin e shtetit, mungesën e shtetit ligjor, mungesën e dialogut politik, çështjet e krimit organizuar, korrupsionit dhe shkeljen flagrante të të drejtave të njeriut ku përfshihet edhe e drejta e pronës. Kjo kërkon një udhërrëfyes urgjent që do të koordinonte intitucionet mes njëra tjetrës për plotësimin e këtyre kushteve thelbësore”.
Nga ana tjetër, ish-deputetja e LSI-së, thekson se zgjedhje pa opozitën më 30 qershor nuk do të ketë. ”Sa për zgjedhjet e lira dhe të ndershme nuk besoj se ka vend në botë që do të kundërshtonte këtë kërkesë legjitime të opozitës. Taktikat që ndiqen dhe teknikalitetet janë çështje që i takojnë Shqipërisë dhe qytetarëve të saj. 30 qershori pa një alternativë do të ishte vetvrasje për demokracinë dhe të ardhmen europiane”.
7 pikat kyçe që rrëzojnë qeverinë siç ish-ministres së Jashtme
- Qeveria nuk i kishte çelur negociatat ashtu siç deklaroi në deir të plotë qershorin e vitit 2018 dhe këtu del qartë loja politike që qeveria bën me këtë proces të rëndësishëm për çdo qytetarë shqiptarë.
- Negociatat kanë ende një rrugëtim të gjatë për të marrë një dritë jeshile sepse gjithçka do të varet nga provimi më i vështirë që duhet të kalojmë në mbledhjen e Këshillit Europian dhe shpresoj që ekzekutivi të tregoj përgjegjshmëri dhe seriozitet në këtë sfidë që ka përpara. Sot që flasim janë minimumi katër shtete anëtare të pozicionuara qartë në votën kundër.
- Rekomandimi pozitiv tregon rolin e katalizatorit që ka Komisioni Europian në lehtësimin e rrugës integruese të Shqipërisë dhe vendeve aspirante, për t’i dhënë një shtysë edhe vendeve anëtare të mbështesin vendet e Ballkanit Perëndimor.
- Komisioni Europian do të duhet të qëndroj fort në qëndrimet e mbajtura deri tanë për të ruajtur edhe kredibilitetin kundrejt vendeve anëtare. Debat ky që ka qënë në qendër të vëmendjes të BE kur flitet edhe për një reformim të brendshëm të mënyrës si funksion BE sot dhe institucioneve të saj.
- Rekomandimi pozitiv vjen edhe si pasojë e nevojës ekzistenciale që Shqipëria ka për të mos u ndarë nga blloku me Maqedoninë e Veriut. Nëse kjo do të ndodhte, do të ishte shkatërruese për perspektivën europiane të vendit tonë.
- Raporti në brëndësinë e tij ngre çështje serioze që kanë të bëjnë me mos funksionimin e shtetit, mungesën e shtetit ligjor, mungesën e dialogut politik, çështjet e krimit organizuar, korrupsionit dhe shkeljen flagrante të të drejtave të njeriut ku përfshihet edhe e drejta e pronës. Kjo kërkon një udhërrëfyes urgjent që do të koordinonte intitucionet mes njëra tjetrës për plotësimin e këtyre kushteve thelbësore.
- Theksi i veçantë është vendosur te kriteri ekonomik dhe te papunësia, duke vënë në dukje sistemin e dobët ekonomik, duke e kthyer tashmë një kusht të rëndësishëm në vazhdimësinë e procesit.
*Kjo pyetje është shkëputur nga intervista me ish-deputeten Gjosha, e cila do të dalë në numërin e nesërm.
KOHA JONË SONDAZH

