Rasti i Kavajës, rast pa shpjegim ligjor
Vendimi për shtyrjen e zgjedhjeve të pjesshme në Kavajë është një rast i paprecedentë në historinë politike të vendit, aq sa në kodin zgjedhor nuk gjen një shpjegim ligjor në të tilla raste.
Por mesa duket vendimi për tërheqjen e kandidatit të PS-së, i diktuar nga Kryeministri Edi Rama këtë pasdite, është ndërmarrë në minutat e fundit. Këtë vendim e shpjegon fare mirë fakti që kandidati i PS-së Klodian Shehi, dy ditë më parë në një intervistë për median, shprehej i bindur se do të kishte zgjedhje të qeta në Kavajë dhe se pavarësisht zërave për një tërheqje të tij të mundshme, asgjë e tillë nuk qe e vërtetë.
Por rezultoi që zërat për një tërheqje të kandidatit të majtë të ishin të vërteta dhe këtë të premte, vetëm dy ditë larg gongut të zgjedhjeve, Klodian Shehi u largua nga kryeministri.
Ky është dhe një rast i paprecedentë, pasi vetë KQZ është “zënë ngushtë” nga vendimi i sotëm i Ramës, dhe po pret aktualisht që PS të sjellë në mënyrë zyrtare letrën e dorëheqjes së kandidatit të majtë.
Nga ana tjetër, kandidati i pavarur Astrit Haka, në një prononcim ekskluziv për Gazetën Express, u shpreh se ishte në procesin e mbledhjes së firmave të qytetarëve që e propozuan për kandidat, në mënyrë që të paraqiste edhe ai dorëheqjen nga gara.
Tashmë mbetet për t’u pritur nëse dorëheqjet e dy kandidatëve do të zyrtarizohen sot apo nesër, për t’i hapur rrugë interpretimit që KQZ do t’i bëjë kodit zgjedhor, që riktheksojmë, nuk parashikon shprehimisht zgjidhje për një situatë të tillë ekstreme.
Komisioni pritet të mblidhet ditën e nesërme për të debatuar këtë vendim politik të kryeministrit, e për të zgjidhur një “mini-krizë” brenda ngërçit të madh politik të këtyre dy muajve.
KOHA JONË SONDAZH

