Reforma, Çuçi: PS, vendim politik, të pilotojmë teknologjinë në 2019
Bashkëkryetari socialist i Komisionit të Reformës Zgjedhore, Bledi Çuçi, konfirmon se amendamentet janë duke u shkruar, por votimi parashikohet për në dhjetor.
“Kemi nisur tashmë shkrimin e amendamenteve konkrete për të përkthyer tre elementë të rëndësishëm. Së pari është një vendim politik i PS për të pilotuar përdorimin e teknologjisë në zgjedhje, së dyti për kërkesën tonë të kahershme për votën e emigrantëve, dhe kryesorja për të reflektuar rekomandimet e OSBE-ODIHR”- u shpreh Çuçi.
Të dy partitë janë duke biseduar se cila bashki do të përdoret për projektin pilot, i cili parashikon të testojë jo vetëm identifikimin teknologjik, por edhe depolitizimin e komisioneve.
“Po shohim mundësinë e një pilotimi për përdorimin e teknologjisë por edhe për depolitizimin e komisioneve. Ka ardhur koha të kemi një armatë profesionistë komisionerësh. Sigurisht që nuk mund të kalojmë menjëherë nga një sistem kaq i politizuar në një të depolitizuar fare”- theksoi bashkëkryetari socialist i Komisionit të Reformës.
Sa i takon votës së emigrantëve, PS-PD kanë rënë dakord ta përdorin vetëm në zgjedhjet parlamentare dhe detajet po përpunohen.
Por a ka pika që mund t’i ndajnë palët dhe të rrezikojnë konsensusin?
“Djalli shihet në detaje, dhe do ta shohim këtë tek detajet”- u shpreh deputeti socialist.
Burime pranë ambasadës gjermane zbardhën sot për Report Tv emrat e ekspertëve që po shkruajnë draftet për reformën zgjedhore. Dy ekspertët janë Ilir Rusmajli, propozuar nga PD dhe Viktor Gumi propozuar nga PS. Emri i Gumit, tërheq vëmendjen, pasi ka qenë deputet i PD në legjislaturën 2009-13, ndërsa më pas u përjashtua nga listat e selisë blu.
KOHA JONË SONDAZH

