Rezultati i zgjedhjeve/Tirana e majtë e theksuar, PS me 72 mijë vota mbi PD
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve e ka shpallur të mbyllur rezultatin e zgjedhjeve në qarkun e Tiranës, ku rezulton se Partia Socialiste ka fituar me një diferencë prej 72 mijë votash ndaj Partisë Demokratike.
Socialistët në Tiranë arritën të fitojnë 18 mandate si asnjë herë më parë, duke lënë forcën kryesore në opozitë, Partinë Demokratike, vetëm me 11 mandate. Ish-aleatët e LSI-së me 5 mandate deputetësh dhe kreu i Partisë Drejtësi Integrim dhe Unitet, Shpëtim Idrizi, jashtë Kuvendit.
Në total në Bashkinë e Tiranës, në 11 njësitë e saj bashkiake dhe në njësitë e reja, si Farkë, Shëngjergj, Krrabë, Pezë, Ndroq, Petrelë, Dajt dhe Kashar, PS ka dalë forcë e parë, duke nxjerrë forcë të dytë PD-në. PD ka arritur të fitojë vetëm bashkitë Kamzë dhe Vorë, që janë pjesë e qarkut të Tiranës.
Rezultati final në qarkun e Tiranës është fiksuar në 199 mijë ose 48 për qind të votave për PS-në, rreth 127 mijë ose 30 % vota për PD-në dhe 55 mijë vota ose 13,4 % për Lëvizjen Socialiste për Integrim.
Partia e Shpëtim Idrizit, PDIU, ka fituar në qarkun e Tiranës 12,327 vota, ndërsa Lista e Barabartë në Tiranë ka fituar 9.517 vota, por pa pasur mundësi për të futur në Kuvend kreun e saj Ben Blushi.
Edhe pse u fut si risi në këto zgjedhje, Partia Sfida për Shqipërinë e Gjergj Bojaxhiut nuk arriti të marrë më shumë se 2.410 vota në Bashkinë e Tiranës.
KRAHASIMI
Nga krahasimi i të dhënave me zgjedhjet e vitit 2013, rezulton se Partia Demokratike ka humbur në zgjedhjet e 25 qershorit rreth 24 mijë vota. Partia Socialiste ka ruajtur rezultatin e 2013- s në qarkun e Tiranës, me një humbje minimale prej 486 votash.
Kurse Lëvizja Socialiste për Integrim rezulton të ketë fituar 20 mijë vota më shumë se 2013-ta në qarkun e Tiranës.
KOHA JONË SONDAZH

