Rrëzohet qeveria në Bullgari, humbet edhe Shqipëria
Negociatat për anëtarësim nuk hapen as këtë herë!
Qeveria e kryeministrit bullgar Kiril Petkov, është rrëzuar me 123 vota pro. Vetëm gjashtë muaj pas marrjes së detyrës, qeveria e koalicionit bullgar e kryesuar nga Petkov ra këtë të mërkurë, duke shkaktuar paqëndrueshmëri të re politike në shtetin anëtar më të varfër të BE-së.
Asambleja Kombëtare në Bullgari rrëzoi nga detyra qeverinë e kryeministrit, duke penguar në këtë mënyrë dhe vendimmarrjen për heqjen e vetos për Maqedoninë e Veriut, që prek edhe Shqipërinë që rrugën e saj drejt integrimit në Bashkimin Europian.
Mocioni i mosbesimit u ngrit nga partitë opozitare mbi “dështimin në politikën financiare dhe ekonomike të kabinetit aktual”. Ky është votimi i parë i mosbesimit në historinë demokratike të Bullgarisë dhe do të çojë në zgjedhje të reja në vendin me 6.5 milionë banorë.
Sot kishte sinjale që Bullgaria do të hiqte veton që pengon procesin e anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut dhe të Shqipërisë për në BE, pasi ishte opozita bullgare që u shpreh pro, por tashmë që qeveria ra, ra edhe shanci për hapje edhe këtë herë të negociatave.
Qeveria e 99-të e Bullgarisë me kryeministër Kiril Petkov u zgjodh më 13 dhjetor 2021. Para formimit të saj, vendi shkoi në zgjedhje tri here, një rekord në historinë e Bullgarisë.
Pengesë e madhe ishte dhe bllokada e bisedimeve mes Maqedonisë së Veriut dhe Bashkimit Evropian, të cilat Sofja kishte vënë veton për mospërputhjen e saj me Marrëveshjen e Fqinjësisë të vitit 2017, gjuhën e urrejtjes, shkatërrimin e monumenteve kulturore bullgare dhe falsifikimin e historisë bullgare.
KOHA JONË SONDAZH

