Rritja ekonomike nga energjia, PD: Ka ardhur falë reshjeve, jo politikave të Ramës
Kushtet e favorshme hidrike kanë sjellë prodhim në rritje të energjisë elektrike edhe në tremujorin e dytë të vitit. Sipas të dhënave nga Instituti i Statistikave, prodhimi i energjisë elektrike arriti në mbi 2700 GËh, gati dy herë më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Mbi 40% e energjisë së prodhuar është eksportuar, çka shpjegon pjesërisht ecurinë pozitive në eksporteve në pjesën e parë të këtij viti. Prodhimi vendas i energjisë është i gjithi nga burimet ujore dhe dominohet nga hidrocentralet publikë në administrimin e Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare.
Duke iu referuar këtyre të dhënave, nënkryetari i Partisë Demokratike Edmond Spaho, njëherësh dhe ekspert në fushën e ekonomisë, shprehet se rritja ekonomike i dedikohet rritjes së prodhimit të energjisë elektrike që ka ardhur si rezultat i reshjeve të shumta të rëna gjatë gjysmës së parë të vitit, dhe jo politikave ekonomike të qeverisë shqiptare.
Përmes një reagimi në faqen e tij zyrtare në rrjetin social “Facebook”, kreu i grupit parlamentar demokrat shprehet më tej se shifrat rrëzojnë deklarimet e kryeministrit Edi Rama dhe ministrit Arben Ahmetajt për “rritje” ekonomike, e cila ka prodhuar vende të reja pune.
Reagimi i plotë i Edmond Spahos
Sapo u publikua bilanci i prodhimit të energjisë elektrike për 6 mujorin e parë të vitit 2018. Shifrat e tij vërtetojnë atë që deklaroi PD se rritja ekonomike e këtij 6 mujori i dedikohet rritjes së prodhimit të energjisë elektrike, për shkak të reshjeve të shumta të rëna gjatë kësaj periudhe, dhe jo politikave ekonomike të qeverisë.
Sipas grafikëve, gjatë tremujorit të dytë 2018, prodhimi i energjisë elektrike është dyfishuar, duke tejkaluar edhe rritjen e vitit 2013. Për rrjedhojë, importet e energjisë janë zvogeluar me 3.3 herë, kurse eksportet janë rritur me 6.5 herë.
Shifrat e mësipërme rrëzojnë deklarimet e Edi Ramës dhe Arben Ahmetajt për “rritje” ekonomike, e cila ka prodhuar vende të reja pune. Vende të reja pune nuk janë krijuar dhe kjo rritje e përkohshme i dedikohet dashamirësisë së motit.

KOHA JONË SONDAZH

