Ruçi s’lejon të flitet për “Seitin”, shpërthen Basha: Hajdut, kriminel! Ruçi: Ulu, mos bëj halabakun…
Mosdhënia e fjalës për kryetarin e grupit parlamentaer demokrat, Edmond Spaho është kthyer në mollë sherri mes kryeparlamentarit Gramoz Ruçi dhe kryedemokratit Lulzim Basha.
Kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi nuk e ka lejuar kreun e Grupit të PD të flasë për ekstradimin e Nezar Seitit, situatë kjo që e ka ngritur në këmbë opozitën dhe kryetarin e PD, Lulzim Bashën, të shpërthejë me fjalët: Hajdut, kriminel!
Ky i fundit i është drejtuar foltores së Kuvendit, për të kërkuar mosndërprerjen e fjalës për Spahon. Por kaq ka mjaftuar që Ruçi t’i drejtohet nga vendi Bashës: Ulu mos bëj si halabak, por bëj liderin. E mos prek punonjësit e shërbimit!
E teksa ka hasur në kundërshtimin e kreut të PD-së I cioli u rrethua nga punonjësit e Gardës së Republikës, kryeparlamentari Ruçi është detyruar ta ndërpresë seancën deri në rikthimin e normalitetit në sallë, pas “pushtimit” të foltores nga deputetët e PD-së të cilët iu bashkuan kryetarit të tyre.
Përjashtohet Spaho
Pas 5 minutave pushim ka rinisur seanca plenare, por deputetët demokratë kanë vijuar të flasin dhe të qëndrojnë pranë foltores.
Dhe pas disa paralajmërimeve të njëpasnjëshme për të liruar foltoren e Kuvendit, kryetari i Kuvendit ka përjashtuar nga punimet e sotme të parlamentit, kryetarin e grupit parlamentar të PD-së, Edmond Spaho, një vendim që do të shoqërohet, siç tha Ruçi, edhe me heqjen e pagës ditore për deputetin e përjashtuar.
“Sipas nenit 65 do t’ju jepet masa, paragrafi i fundit, masa disiplinore e përjashtimit nga seanca bëhet me sanksione financiare të një dite të pagës. Zoti Spaho përjashtohesh nga seanca për një ditë”, tha kryeparlamentari Ruçi.
Reagimi i PD-së
Pas tensioneve të krijuara në sallën e Kuvendit pas fjalës së deputetit të PD-së Edmond Spaho, i cili foli për ekstradimin e Nazer Seitit dhe më pas u përjashtua nga punimet, vjen reagimi nga selia blu. Kështu, përmes zëdhënëses Silvi Bardhi thuhet se Ruçi ka shkelur rregulloren.
“Gramoz Ruçi është në shkelje të Rregullores me ndërprerjen e fjalës së kryetarit të grupit, Edmond Spaho. Duke marrë shkas nga shkelja e rëndë e ligjit për ekstradimin e Nezar Seitit, me urdhër të kryeministrit, zoti Spaho do të kërkonte praninë në sallë të Edi Ramës. Ndërprerja brutale e fjalës së kryetarit të grupit PD solli reagimin e grupit të opozitës”, thuhet në reagimin e PD-së.
KOHA JONË SONDAZH






