SHBA/Ministri Xhafaj takim në DAP dhe në Departamentin e Drejtësisë
Gjatë vizitës së tij në Uashington, në ditën e tretë të ndalesës, ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj është pritur në Departamentin e Shtetit nga ndihmëssekretari i Shtetit për Narkotikët dhe Çështjet e zbatimit të ligjit, James A. Walsh.
Ministri Xhafaj e ka falënderuar për mbështetjen që Shtetet e Bashkuara kanë dhënë veçanërisht për Reformën në Drejtësi, përmes Ambasadës në Tiranë dhe programit “OPDAT” të asistencës, ndërsa theksoi se kjo mbështetje është e domosdoshme të jetë e pranishme, mbi të gjitha në këtë fazë delikate të procesit.
“Konstatoj me kënaqësi se investimi juaj për këtë reformë ishte me një vlerë të veçantë. Ndërkohë që kjo reformë ka filluar tashmë të japë rezultatet e para në kuadrin e procesit të vettingut, sfidë mbetet krijimi i organeve të reja të parashikuara nga kjo reformë”, është shprehur ministri Xhafaj.
Ministri e njohu gjithashtu mikpritësin me vizionin e tij në drejtimin e Ministrisë së Punëve të Brendshme, duke u ndalur në rolin e rëndësishëm të policisë në mirëfunksionimin e trekëndëshit polici-prokurori-gjykatë.
Mes informimeve të tjera, Walsh u njoh nga ministri edhe me punën e nisur në funksion të reformimit të hetimit në Policinë e Shtetit, planin e veprimit të miratuar nga Qeveria për operacionin “Forca e Ligjit”, vettingun në Polici, luftën kundër kultivimit të kanabisit, policimin në komunitet, prioritete madhore këto për Ministrinë e Brendshme.
Një nga sfidat me të cilat përballet Shqipëria është edhe ajo e luftës kundër radikalizmit, ekstremizmit të dhunshëm dhe terrorizmit.
Por ministri Xhafaj u ndal më së shumti te rezultatet e para të operacionit “Forca e Ligjit”, si dhe nevojën për asistencë më të kualifikuar për “task forcën” speciale të ngritur për këtë qëllim.

Ndërkohë, ndihmëssekretari amerikan Walsh vlerësoi progresin e bërë në procesin e reformave në Shqipëri, angazhimin e fortë të qeverisë aktuale, duke theksuar se “angazhimi i SHBA-ve nuk ka ndryshuar dhe do të vazhdojë të jetë intensiv edhe në të ardhmen”.
“Reformat e ndërmarra nga qeveria shqiptare, strategjitë e prezantuara, partneriteti me agjencitë ligjzbatuese amerikane janë shumë të rëndësishme për ne”, u shpreh ai. “SHBA do të vazhdojnë të mbështesin institucionet e reja të ngritura në kuadër të Reformës në Drejtësi”.
Ai vlerësoi së tepërmi ngritjen e “TFS”-së dhe qasjen ndërinstitucionale në luftën kundër krimit të organizuar në Shqipëri, duke theksuar rëndësinë e një koordinimi më efikas midis policisë dhe shërbimeve sekrete.
Ndihmëssekretari i Shtetit theksoi ndër të tjera se, “SHBA-të do të punojnë nga afër me Shqipërinë në këtë proces jetik për vendin. Lufta efikase ndaj grupeve kriminale është thelbësore, veçanërisht sa i takon qëndrueshmërise së rezultateve në luftën kundër kuktivimit të kanabisit për vitin në vijim. Ju do të keni të gjithë mbështetjen e Amerikës në përpjekjet tuaja serioze në luftën kundër krimit ndërnacional, korrupsionit, pastrimit të parave, ashtu si dhe në procesin e ngritjes së BKH-së dhe SPAK-ut”.
Në fund, ministri Xhafaj e ftoi zotin Walsh të vizitojë Tiranën, si një mundësi për të parë nga afër progresin e bërë dhe për të diskutuar për programet e asistencës në vijim.
Një tjetër takim në Uashington, ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj e zhvilloi në Departamentin e Drejtësisë me Bruce Swartz, zëvendës ndihmës Prokurorin e Përgjithshëm, i shoqëruar nga disa prej drejtorëve dhe drejtuesve të projekteve ndërkombëtare. Në krye të herës, z.Swartz shprehu falënderim për bashkëpunimin e shkëlqyer me Qeverinë shqiptare, duke e bërë Shqipërinë “vendin model në rajon sa i takon bashkëpunimit për çështjet penale”.
“Ajo çfarë kemi realizuar së bashku deri tani, është shumë e rëndësishme për sigurinë e të dy vendeve”,-tha z.Swartz duke shtuar se: ”përfshirja personale e z.Xhafaj ka qenë shumë e rëndësishme në ndërtimin e një marrëdhënie të qëndrueshme mes dy palëve. Rezultatet e fundit të Policisë, janë tregues i kapaciteteve në rritje të saj në luftën kundër grupeve kriminale. Procesi i Vetting-ut që ju keni ndërmarrë është unik në rajon, duke e bërë Shqipërinë model për vendet e tjera të Ballkanit e më gjerë dhe ka ndikuar së tepërmi në ndërtimin e një marrëdhënie të mrekullueshme mes nesh”.
“Ne do të prezantojmë progresin që ju keni bërë në takimin e radhës ShBA-BE për çështjet e drejtësisë, i cili do të mbahet në Sofje, me fokus kryesor krimin e organizuar transnacional. Kjo do të jetë një mundësi shumë e mirë për ne, për të dhënë një mesazh tjetër mbështetje për procesin e reformave që ka ndërmarrë Shqipëria dhe domosdoshmërinë e hapjes së negociatave, pasi Shqipëria e ka merituar një vlerësim të tillë”, theksoi z.Swartz.
Ministri Xhafaj solli një retrospektivë të punës së bërë lidhur me reformën në drejtësi. “Kjo reformë do të ketë një impakt të madh edhe mbi pushtetet e tjera, të cilat po ashtu kanë po aq probleme sa drejtësia. Ajo do të pastrojë jo vetëm sistemin, por do t’i japë atij instrumentat e duhura për të vepruar në mënyrë proaktive”, pohoi ai.

Ministri informoi gjithashtu se “procesi i Vetting-ut po jep rezultatet e para domethënëse. Tashmë është momenti të fokusohemi te procesi për ngritjen e institucioneve të reja të sistemit, veçanërisht ato të drejtësisë penale, të dedikuara në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit (BKH e SPAK)”.
Në këtë kontekst, ministri Xhafaj kërkoi që asistenca e SHBA të fokusohet në ngritjen e institucioneve të reja të drejtësisë. Ai vlerësoi punën e OPDAT duke shtuar se i gjithë investimi amerikan në këtë proces, ka rezultuar shumë i suksesshëm.
Duke shprehur vlerësimet për lidershipin e z.Xhafaj në procesin e reformës në drejtësi z.Swartz u shpreh se “ne jemi krenarë që kemi punuar me ju gjatë reformës në drejtësi dhe dëshirojmë të vazhdojmë të bashkëpunojmë ngushtë edhe në procesin e reformave të ndërmarra prej jush, në fushën e rendit dhe sigurisë”.
Nga ana e tij, ministri i informoi bashkëbiseduesit mbi prioritetet kryesore të MB, duke u ndalur vecanërisht tek operacioni “Forca e Ligjit” dhe Vetting-u në Policinë e Shtetit – dy ndër reformat kyçe të ndërmarrë nga Qeveria shqiptare në fushën e rendit dhe sigurisë dhe forcimin e zbatimit të ligjit. Për realizimin e këtyre prioriteteve, ai kërkoi mbështetjen e palës amerikane, kryesisht në rishikimin e asistencës së dhënë përmes ICITAP, e cila duhet të orientohet sipas prioriteteve tona duke u zhvendosur nga ato tradicionale, për të qenë më eficente në të ardhmen. Gjithashtu ai kërkoi që ICITAP të mbështetet me financime shtesë për të mundësuar asistencë teknike në përmbushje të prioriteteve kyçe të përcaktuara.
Ministri Xhafaj kërkoi një prezencë dhe bashkëpunim më intensiv me FBI dhe DEA, duke riprezantuar kërkesën për një prezencë më të madhe te tyre në Shqipëri. Strukturat e reja që janë ngritur në kuadrin e operacionit “Forca e Ligjit” si dhe procesi për ngritjen e SPAK dhe BKH kanë nevojë jo vetëm për mbështetje e asistencë teknike, por edhe për motivim në përmbushjen e misionit të tyre.
Z.Swartz u shpreh se sa i takon asistencës së FBI dhe DEA do të inkurajojë lidershipin e këtyre dy Agjensive, për të plotësuar kërkesat. Ai ndau të njëjtin mendim me ministrin, se puna e ICITAP duhet të orientohet drejt prioriteteve kyçe të MB-së, duke synuar rritjen e kapaciteteve profesionale dhe operacionale.
“Kemi gjithë vullnetin e duhur për t’i shtyrë këto çështje përpara, për të bërë të mundur realizimin e këtyre prioriteteve madhore”, përfundoi ai.

KOHA JONË SONDAZH

