Shehu: Nuk ka dy rryma, të gjithë janë pjesë e PD-së

Deputeti i PD-së në Gjirokastër, Tritan Shehu, duke komentuar garën e nisur në PD për kryetar të partisë tha se është i bindur që e djathta do të ringrihet shumë shpejt. Ndërsa duke analizuar situatën e fundit brenda PD-së, në një intervistë për “Shekullin”, Tritan Shehu është prej atyre që mendon se kritikët nuk kanë pse të largohen dhe as të krijojnë lëvizje brenda PD-së. Shehu mendon se ajo çfarë i duhet PD pas “kataklizmës” është bashkimi i të gjithë demokratëve për të krijuar një opozitë të fortë.

Prej dy ditësh ka nisur gara mes dy kandidatëve. Si po shkon procesi i fushatës për kryetar të partisë?

Unë jam bërë pjesë e komisionit që merret me organizimin e procesit zgjedhor të kryetarit, komision i cili po punon intensivisht duke përgatitur udhëzimet e ndryshme, rekomandimet e ndryshime për degët dhe për qendrën për mënyrën si do të votohet, në mënyrë që votimi në tërësi të jetë krejtësisht transparent, korrekt dhe rezultati që do të sjellë të përputhet totalisht me atë që do të shprehin anëtarët e Partisë Demokratike.

Swiss Digital Desktop Reklama

Si ju duken programet e dy kandidatëve?

Swiss Digital Mobile Reklama

Nuk kam koment për këtë gjë. Unë shoh vetëm një garë korrekte, demokratike, transparente dhe do të fitojë ai që do të marrë më shumë vota nga anëtarësia e PD-së. Para se të vijmë te gara që tashmë është hapur, ka pasur shumë zërat që kanë kundërshtuan këtë lloj gare, e cila prej tyre është quajtën madje farsë.

Si e komentoni, a duhet që të paktën kërkesa e tyre për shtyrje të datës së zgjedhjeve të ishte pranuar, në mënyrë që kandidatët të përgatiteshin për një fushatë më interesante sepse duket se është pak e vakët. Si zoti Selamit, edhe zoti Basha nuk kanë ofruar deri më tani një vizioni të qartë se si e shohin PD-në?

Së pari, mua nuk më duket e vakët. Pra, mua më duket fushatë e një niveli të mirë, dinjitoz dhe me programe për të ardhmen e Partisë Demokratike. Mua më duket një fushatë e një niveli mjaft të mirë, të paktën deri më tani. Lidhur me problemin që ka debat, mund të them që tashmë fushata ka filluar sipas vendimit që morën strukturat e PD-së dhe të gjithë do i nënshtrohen tashmë garës dhe të kontribuojmë sa më shumë që munden që kjo fushatë të dalë sa më e mirë, e një niveli të lartë dhe që nesër përsëri Partia Demokratike të jetë përsëri e bashkuar, pavarësisht mendimeve të ndryshme që mund të ketë, pavarësisht qëndrimeve të ndryshme që mund të ketë, edhe interesave të ndryshme të individëve apo grupeve që janë të kuptueshme, që janë në çdo mjedis social apo politik të të gjithë botës.

A do të jetë e vështirë që pas kësaj përplasjeje të kemi prapë një bashkim të këtyre dy rrymave të themi?

Unë nuk shoh dy rryma. Në PD pati mendime të ndryshme, disa herë këto mendime kaluan edhe një cak por unë mendoj se ajo që na bashkon është shumë më e madhe se ajo që na ndan. Jemi një familje, kemi një aspiratë, një qëllim të gjithë prandaj unë them që ajo që na bashkon është shumë më e madhe se ajo që na ndan, pavarësisht një krisje të vogël që mund të ketë në këto momente.

Ju e cilësoni një krisje të vogël por realisht akuzat vazhdojnë akoma dhe pakënaqësitë po ashtu. Patozi ka paralajmëruar se do të ketë një lëvizje brenda PD-së për të kundërshtuar…

Unë nuk kam ndërmend të bëjë asnjë koment për deklarata apo qëndrimet e kolegëve të mi. E vetmja gjë që mund të them është të kalojmë këtë moment të zgjedhjes së kryetarit, pasi ky është një proces tashmë i filluar, të mbyllim këtë proces në mënyrën më demokratike të mundshme, të qartë dhe transparente dhe pastaj hajt të ndihmojmë të gjithë së bashku për të bërë një opozitë e fortë, një opozitë demokratike, një opozitë gjithë përfshirëse, një opozitë sa më të larmishme.

Ju keni qenë kryetar i PD dhe e dini si funksionon kjo parti? Sot pas katër vitesh, po të ishit kryetar partie do të zgjidhnit atë listë që ka zgjedhur Basha dhe a do të lejonit që figura të rëndësishme si Patozi, Topalli, Bregu… të largohen nga lista?

Kryetari i PD-së, që tani kandidon për postin e partisë, pasi ka ngrirë pozicionin e tij mori të gjitha përgjegjësitë. Unë besoj se grupi i ri parlamentar do të bëjnë një luftë opozitare të fortë në Parlament, ashtu siç do të jetë e gjithë PD një opozitë agresive.

Por ka kolegë tuaj, që do të jenë përkrahë jush në Kuvend që kanë probleme me drejtshkrimin me ‘ta do të bëni opozitë e fortë?

Unë nuk hyj në këto insinuata, grupi parlamentar i PD-së do të jetë në lartësinë e duhur, ashtu siç kanë qenë grupet parlamentare të PD në gjithë historinë e saj.

Ka luks PD-ja që të lërë jashtë figura si Patozi, Topalli?

Edhe unë në 2013 ngela jashtë grupit parlamentar të PD, nuk ndodhi gjë, punova forcërisht për interesat e PD në të gjithë periudhën 4-vjeçare, drejtova një departament shumë të rëndësishëm siç është shëndetësia dhe tani do të jem anëtar i Parlamentit shqiptar.

Mendoni se Patozi, Bregu e Topalli do të vazhdojnë të jenë pjesë e PD dhe a duhet?

Unë besoj dhe duhet. Të gjithë duhet të jenë pjesë e PD-së, të gjithë të jemi bashkë dhe jam i bindur që do të kemi edhe një të ardhshme të përbashkët. Pavarësisht nga pozicionet e ndryshme që mund të këtë gjithsekush nga ne. Mendoj dhe besoj se ajo që na bashkon është shumë më e madhe se ajo që na ndanë, në histori dhe në të ardhmen.

Gara/Ngrirja e Lulzim Bashës, kandidati zgjidhet nga anëtarësia

Ish-kreu i PD-së shprehet se ishte e drejta e Lulzim Bashës të zgjidhte ose jo ngrirjen e funksioneve të tij në parti me të drejtë rikandidimi, duke qenë se për të do të votojë gjithë anëtarësia. “Basha ka krejt të drejtën e tij që të vendosë se si të veprojë, të japë dorëheqje të plotë pa rikandiduar, të rikandidojë, duke bllokuar funksionet kryesore për të mos pasur influenca në procesin e votimit etj. Ai ka zgjedhur këtë të fundit, që është një formë dorëheqjeje me të drejtë rikandidimi. Dhe këtu nuk ka asgjë të keqe. Mos harrojmë se për kryetarin e ri do të votojë e gjithë anëtarësia e jo delegatët e një kongresi. Unë nuk besoj se një anëtarësi e tërë do të manipulohet a impresionohet nga të tilla detaje. E rëndësishme që tashmë ka nisur gara është që të bëhemi një opozitë e fortë. Ne duhet të përgatitemi për një opozitë të fortë, programore, të qartë, të shumëllojshme e demokratike. Dhe të shikoni se gjërat mund të ndryshojnë shumë më shpejt sesa mendohet. Mos të harrojmë se pushteti i tepërt bëhet edhe “varri” i atij që e rrëmben, veçanërisht kur e merr me rrugë jodemokratike, siç ndodhi në këto zgjedhje”, tha Shehu. Në lidhje me komentin e Jozefina Topallit se “ata që mbështesin Bashën nuk kanë lidhje me PD”, Shehu tha se PD duhet t’i lërë mënjanë këto ndasi. “Unë nuk e di se kush mbështet Bashën, kush Selamin, unë kam respekt për të gjithë brenda PD. Dua të gjithë të jemi sëbashku. Të gjithëve na bashkon një gjë më e madhe se ajo që na ndan në këto momente,” tha Shehu.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Kush mendoni se duhet të jetë në emër të PD dhe opozitës kandidat për kryebashkiak në Tiranë?