Shehu: Sqarimi i këshilltarit të Ramës për luftëtarët e ISIS, shumë i vonuar dhe i paqartë
Pas lajmeve në media se në Shqipëri mund të ngrihej një qendër rehabilitimi për ish-terroristët e ISIS si dhe deklaratës së institucionit të Kryeministrisë që u shpreh se bëhet fjalë për Qendrën e Koordinimit kundër Ekstremizmit të Dhunshëm, ka reaguar sërish deputeti i PD-së Tritan Shehu.
“Duke falënderuar Këshilltarin Lleshi për përgjigjen që dha para pak minutash ndaj shqetësimit tim e të tjerëve të ngritur rreth një Qendre Rajonale në Shqipëri për studime a rehabilitime, apo diçka tjetër në lidhje me terroristët e ISIS prej Ballkanit, dëshiroj të theksoj se:
1- Së pari, ky “sqarim” është shumë i vonuar. Qëkurse Kryeministri Borisov shpalosi diçka të tillë në Tiranë e deri më sot kanë kaluar shumë ditë, të mbushura këto me shumë komente, pyetje etj nga media, analistë, politikanë, ndaj kësaj çështjeje, që sot “zvogëlohet” shumë në konceptin e saj prej Këshilltarit.
Uroj të jetë e të ketë qënë që në fillim i tillë ky koncept.
2- Sidoqoftë të tilla projekte reale apo dhe iluzive, me interesa madhore për vendin, nuk mund të mbahen ne “terr” informativ. Është detyra e institucioneve shtetërore të bëjnë transparencë, përpara se të shpërthejnë diskutimet e debatet.
Në fakt është “zakoni” i kësaj Qeverie që për të tilla çështje të veprojnë në konspiracion, derisa plas….
3- Cilado qoftë përgjigjja e sotme e Këshilltarit, për mua kjo çështje akoma nuk është plotësisht e qartë, kjo edhe për faktin se si u menaxhua deri më tashti.
4- Në këto kushte do të vazhdoj ta ndjek me shumë vëmendje në zhvillimet e ardhshme, edhe si N/Kryetar i Komisionit Parlamentar të Politikes së Jashtme”- shprehet deputeti demokrat.
KOHA JONË SONDAZH

