Shkarkimi i Metës? Boçi për “KJ”: Provokim që ndez revoltë, jep efekte përtej vendit
Nga: Redjon Shtylla
Kryeministri Edi Rama, nga Burreli ku zhvilloi fushatën e rradhës elektorale, tha se Presidenti Ilir Meta ka humbur të drejtën që të qëndrojë në zyrën e Kreut të Shtetit. Sipas tij, vendimi për anulimin e zgjedhjeve të 30 qershorit, nuk është vendimi i fundit nga Kreu i Shtetit dhe se do të ketë të tjera. “Koha Jonë” kontaktoi më herët me ish-deputetin e PD-së, Luçiano Boçi, ku u pyet për këtë mesazh të fortë të kryeministrit Rama. Sipas tij, me këtë vendim kreu i qeverisë hedh në erë themelet e shtetit dhe vendos kështu sundimin e regjimit kriminal. Sipas tij, nën këtë skenar kobzi më pas përplasja ekstreme është e paevitueshme.
“Nuk bëj habi sepse një Ramë dhe një maxhorancë që i bie në gjunjë krimit dhe e përdor atë për marrjen e mbajtjen e pushtetit, nuk e ka për asgjë që t’i vendosë minat e të hedhë në erë themelet e shtetit e të shpallë de jure me shkarkimin e Presidentit, sepse de facto e ka bërë tashmë, sundimin e regjimit në Shqipëri. Nën këtë skenar kobzi më pas përplasja ekstreme është e paevitueshme. Rama kërkon ta shtyjë situatën në këtë pikë. Është e vetmja rrugëdalje pa dalje që ai ka në kokë dhe që i përshtatet me gjendjen e tij psiko-politike”.
Ish-deputeti Boçi thekson se është një provokim që do ndezë një revoltë me përmasa të jashtëzakonshme dhe një destabilitet i cili do japë efekte përtej vendit. Ai bën thirrjen që kjo çmenduri duhet të ndalet me çdo kusht.
“Provokimi i shkarkimit të Metës, pas kësaj do ndezë një revoltë me përmasa të jashtezakonshme dhe nje destabilitet i cili do japë efekte përtej vendit. Kjo çmenduri duhet ndalur me çdo kusht. Në këtë pikë aktivizimi i faktorit ndërkombëtar për të frenuar arrivizmin pa fre për pushtet të Rilindjes është i domosdoshem dhe kam bindjen se eshte duke ndodhur. Rama e ka humbur betejen, pavarësisht çdo akti perves politik që ai mund të ndërmarrë në ditët në vazhdim”.
Para se opozita të niste protestën e 8-të, Presidenti i Republikës, Ilir Meta bëri me dije vendimin për shfuqizimin e zgjedhjeve lokale të 30 qershorit. Të hënën Kreu i Shtetit do të sqarojë me detaje pse mori këtë vendim por që deri më tani është shprehur se vendimi erdhi për shkak se palët politike nuk u ulën në dialog dhe për të shmanguar një përplasje civile. Boçi thotë se Presidenti ka vepruar brenda kompetencave të tij kushtetuese, kurse për Ramën thekson se qëndrimi i Kryeministrit është në kufijtë e çmendurisë politike, i artikuluar për shkak të aromës së pushtetit të humbur.
“Presidenti ka vepruar brenda kompetencave të tij kushtetuese. Qartësimet që priten të dalin të hënën do të shpjegojnë për publikun, si arsyet e anullimit të 30 qershorit ashtu dhe bazën ligjore të një vendimi të tillë. Qëndrimi i Ramës është në kufijtë e çmendurisë politike, i artikuluar për shkak të aromës së pushtetit të humbur. Në të nuk ka një fije arsye. Presidenti po ushtron të drejtën e tij si garant i kushtetutës dhe si simbol i unitetit të popullit. Si i tillë, qëndrimi i Ramës instalon një konflikt institucional me përmasa apokaliptike për zinxhirin e hallkave shtetërore, që me gjasa nuk ka për të kaluar me pasoja. Njëkohësisht qëndrimi i tij është thirrje e hapur për konflikt civil”,-thotë në prononcimin e plotë ish-deputeti Boçi.
KOHA JONË SONDAZH

