“Shkoni në Dibër të merrni vesh të vërtetën”, ja ç’thotë deputetja e PDIU për sherrin në bashki (Video)
PDIU e ndihmoi PS të marrë drejtimin e Bashkisë së Dibrës në zgjedhjet e pjesshme që u zhvilluan atje. Mirëpo, me vënien e të dyja duarve në timon, socialistët nuk i bëjnë me llogaritë me dëshirat e çamëve, që nuk e kanë fshehur revoltimin, i cili ka degjeneruar deri në përplasje fizike.
Më herët, kryetari i bashkisë së Dibrës Muharrem Rama, kishte këmbyer akuza në distancë me deputeten e PDIU, Reme Lala, ku kjo e fundit nuk i kishte kursyer edhe etiketime si ‘hajdut’ apo ‘qoftexhi’. Sot, e pyetur për ngjarjet në zonën e saj elektorale, znj.Lala heziton të flasë dhe nuk jep sqarime. “Shkoni në Dibër ta merrni vesh të vërtetën. Mirupafshim, gjithë të mirat”, tha Lala.
Socialistët e dënojnë ngjarjen dhe kërkojnë që të flasin organet e drejtësisë.
“Sipas informacioneve që kam marrë nga bashkia duket që për shkak të drejtorit të burimeve njerëzore. Nuk e besoj që është një konflikt politik, besoj që do ulen do diskutojnë dhe do shikojnë pastaj…Sigurisht që është një incident për të cilin duhet që të reflektojmë me seriozitetin maksimal”, tha deputetja e PS-së Almira Xhembulla.
“Jua thashë pra, që po merren organet e drejtësisë”, u shpreh Ilir Beqaj.
Ndërkohë deputetët e Dibrës nga kampi opozitar, thonë se konflikti ka ardhur për shkak të ndarjes së tortës së pushtetit.
“Kjo historia e tepsisë…Normal qëkurse ekonomia e vendit ka arritur në sherre banale për një vend pune, normal që do shkosh edhe në sherre”, tha deputeti i LSI-së Përparim Spahiu.
“Bashkia e Dibrës dihet si është marrë dhe dihet si po shkon. Gjithmonë për të ndarë tepsinë, hajdutët që drejtojnë bashkinë dhe në dëm të qytetarëve të Dibrës. Ka 5 vite, dibranët, bulqizakët, matjanët nuk shikojnë asnjë investim. Programi i qeverisë është si të ndahet tepsia e bashkisë Dibër”, deklaroi deputetja e PD-së Dhurata Çupi.
Për qarkun e Dibrës, PS ka bërë edhe lëvizjet e veta. Rama ka deleguar pak kohë më parë atje si drejtuese politike ministren e mbrojtjes Olta Xhaçka.
Paraditen e djeshme në ambientet e Bashkisë u konfliktuan fizikisht disa persona dhe 4 prej tyre përfunduan me lëndime në spital. Sipas kryetarit të Bashkisë, Muharrem Rama, përfaqësues të PDIU-së me në krye nënkryetarin e bashkisë dhunuan ambientet e këtij institucioni. Arsyeja e këtij konflikti duket se ka qenë ristrukturimi i bashkisë dhe lëvizjet, pasi siç tha Rama punonjësit e PDIU kanë performancë të dobët.
/BW
KOHA JONË SONDAZH

