“Shqipëria mund të bëhet”, botimi i rrallë i Doktorit të Shkencave, Ylli Çabiri

Doktori i Shkencave, Ylli Çabiri ka nxjerrë nga botimi këto ditë librin më të fundit, “Shqipëria mund të bëhet me qeverisje të vërtetë”. Ekspertiza akademike, përvoja shumëvjeçare në institucionet vendase dhe ato ndërkombëtare, si dhe eurodicioni prej intelektuali të kalibrit të lartë të Ylli Çabirit, e bëjnë këtë libër një botim të rrallë për nga përmbajtja dhe mesazhet që jep. 

Botimi, siç e cilëson vet autorit në parathënien e tij, është një libër tekniko-apolitik që trajton problemet kapilare të sistemit shtetëror, shoqëror dhe politik të Shqipërisë. Por më shumë se kaq, ky botim është një manual për ndërtimin e shtetit modern dhe reformave të munguara të Shqipërisë. Në materialin voluminoz të seleksionuar nga profesori i njohur shtrohen probleme, bëhen krahasime, nxirren përfundime, por edhe jepen konkluzione se çfarë duhet të bëjë shteti dhe shoqëria shqiptare për të kapur kohën e humbur.

Në këtë libër nuk mungojnë dhe risitë. Profesori i njohur nuk mjaftohet vetëm duke treguar plagët e shtetit dhe demokracisë shqiptare. Në një mënyrë mjaft elegante, krahas çdo problematike që trajtohet në kapituj, jepen dhe rekomandimet. Në gjithë rreshtat e librit ndjehet jo vetëm pesha e mendimeve të një profesori me përvojë të gjatë në institucionet ndërkombëtare, por edhe shqetësimi i një intelektuali që ka parë nga afër gabimet fatale të shoqërisë dhe politikës në dëm të shtetit. Janë 125 rekomandime të servirura me modesti nga profesori i njohur, por që në fakt përbëjnë ajkën e ideve që duhet të përqafoheshin nga çdo parti, qeveri apo organizatë që ka në dorë vendimmarrjen në Shqipëri. Është një libër për shtetin, ku çdo shtetar duhet ta lexojë. Sepse siç thotë vet autori; “sot, pas më shumë se dy dhjetëvjeçarësh tranzicion është kuptuar qartë se problemi themelor i Shqipërisë nuk ka qenë krimi i organizuar, por shteti i çorganizuar. Krimi, trafiku, varfëria, papunësia, droga, mungesa e drejtësisë janë para së gjithash pasoja të Qeverisjes së çorganizuar. Problemi nuk është thjesht të përmirësojmë Qeverisjen. Reformimi thelbësor dhe sa më i shpejtë i Qeverisjes duhet të jetë Mbireforma! Pa reformuar Qeverisjen, nuk mund të realizohet asgjë dhe ky është një parakusht i domosdoshëm për çdo Reformë e ndryshim tjetër që sipërmerret”.

Swiss Digital Desktop Reklama

Swiss Digital Mobile Reklama

Pjesë nga parathënia e autorit për veprën

Ky nuk është Raport dhe as Studim, por Libër. Janë mendime, vlerësime personale nga një përvojë e gjatë pune, studimi e refleksioni që mund të nxisin një Plan për disa Reforma urgjente, të domosdoshme, të cilat duhen ndërmarrë për të ndryshuar rrënjësisht e modernizuar Qeverisjen. Për të gjithë ata që besojnë ende se Shqipëria mund të bëhet, që prej së hershmi kërkojnë dhe shpresojnë Qeverisjen e mirë. Nuk janë Kujtime. Ky Libër nuk është partizan dhe as bipartizan. Ai është një Dokument i mirëfilltë Teknik-Apolitik. Nuk ka si qëllim të pluhurosë e baltosë punën e askujt (apo të ngrejë lart punën e dikujt tjetër), të akuzojë, dënojë njeri për ato që ka bërë, ose nuk ka bërë. Libri nuk është një Dokument teorik që flet për Reforma hipotetike, realizimi i të cilave është i dyshimtë. Ai mbështetet në bindjen se është plotësisht e mundur që Qeverisja në Shqipëri të përmirësohet nga themelet brenda një kohe të shkurtër.

Të qeverisësh mirë do të thotë të kesh e të përzgjedhësh individë të përshtatshëm për Qeverisje të mirë në të gjitha nivelet. Këta individë nuk mungojnë, por nuk përzgjidhen, aq sa po krijohet mendimi i përgjithshëm se politika përzgjedh e përfshin qëllimshëm më të dobëtit e më të paaftët individë për të qeverisur. Që t’i komandojë pa shumë mund, që të bëjë ç’të dojë me ta dhe në emër të tyre. Të qeverisësh mirë nuk është një punë e lehtë dhe nuk mjafton demagogjia politike, madje as përkushtimi dhe njohuritë e thella e të gjithanshme. Për të qeverisur mirë duhen edhe institucione të konsoliduara në nivel Qendror e Lokal, ligje të qarta e rregulla të prera, të detyrueshme për t’u zbatuar e lehtësisht të matshme, struktura që monitorojnë papushim rezultatet dhe rekomandojnë përmirësime të mëtejshme, kërkohet ndershmëri e përgjegjshmëri individuale e kolektive e nënpunësve të të gjitha niveleve për t’u shërbyer sa më cilësisht e pa dallim njerëzve. Të qeverisësh mirë do të thotë edhe të japësh llogari për atë që bën. Qeverisjes sonë i ka munguar në mënyrë sistematike e thuajse tërësisht llogaridhënia. Madje kanë munguar edhe instrumentet formale për të monituar qeverisjen: struktura të posaçme dhe programe pune, reagime të përgjithshme e transparente ndaj kritikave apo ndaj moszbatimit të politikave, strategjive e rregullave. Transparenca ndaj publikut ka munguar, kanë munguar instrumentet e detyrueshme e të qëndrueshme, që e bëjnë të mundur informimin e publikut dhe tërheqjen e mendimit të tij. Kjo është kuptuar vetëm si hapje zyrash informimi real i publikut dhe pjesëmarrja në vendimmarrje e aktorëve të interesuar bëhet sa për sy e faqe. Qeverisja shpesh herë ka rënë në duar njerëzish amatorë, të ndodhur në pozicione drejtuese jo për aftësi teknike apo karrierë të qëndrueshme politike, por më shumë rastësisht, se kështu ka dashur dikush, pa përvojën minimale të menaxhimit të punëve të një sektori të caktuar e aq më pak të drejtimit të Ministrive. Në shumë raste ata janë ballafaquar me detyrat e tyre pa asnjë njohje të sektorëve që drejtojnë dhe pa asnjë lidhje të mëparshme me administratën shtetërore. Kjo ka bërë që ata të drejtojnë kuturu, me aq sa ua pret mendja, ose thjesht të ndjekin ç’i thonë të tjerët, të ndryshojnë strukturat organizative të Ministrive e sektorëve sa herë t’u shkojë ndërmend, pa ditur ç’bëjnë e pa asnjë njohuri, si dhe të ndryshojnë stafet, pa matur dot apo parashikuar pasojat. Trupat qeverisëse janë karakterizuar nga mendësia dritëshkurtër e përkohshmërisë në detyrë. Atyre pothuajse gjithmonë u ka munguar interesi për t’u përqëndruar në çështje më afatgjata e strategjike dhe për të gjetur zgjidhje të qëndrueshme për to. Kurse të diturit kanë heshtur gjithmonë duke mërmëritur: Fali Zot, se nuk dinë ç’bëjnë! Ky Plan bazohet në diagnostikimin e thellë të të gjitha këtyre mangësive, duke përcaktuar se çfarë është emergjente të ndryshojë dhe si mund të ndryshohet konkretisht. Ai përmban disa Rekomandime, që për të mirën e të gjithëve duhen kthyer me shpejtësi në Vendime dhe nevojitet të zbatohen me rigorozitet. Disa prej tyre mund të japin fryte të shpejta, disa kërkojnë më shumë kohë për të ndryshuar gjendjen ekzistuese e për të mos vazhduar me arna dhe riparime të sipërfaqshme që nuk çojnë askund dhe vetëm sa i zgjasin jetën Qeverisjes së vjetëruar, të gabuar dhe të destinuar për të dështuar.

Besimplotë ju them se: Është e mundur që Vendi ynë të qeveriset drejt dhe siç duhet. Është plotësisht e mundur që Shqipëria të bëhet!

JETËSHKRIMI

Kush është Ylli Çabiri?

Ylli Çabiri ka lindur në qytetin e Elbasanit dhe është diplomuar në Universitetin e Tiranës, në fakultetin e Inxhinierisë. Studimet pasuniversitare i kreu në Francë në universitetin “Paris XI”. Fitoi vlerësimin “Shkëlqyer” nga universiteti francez për studimin e tij të doktoraturës mi Çeliqet Shqiptare.  Deri në vitin 1988 la punuar si: Drejtues i Institutit të Studimeve dhe Projektimeve Siderurgjike, më pas Drejtor në Këshillin e Ministrave, Këshilltar i Ministrit të Bashkëpunimit me Jashtë dhe Zëvendësministër i Tregtisë së Jashtme.

Në vitet e para të demokracisë, u emërua Ministër i Bashkëpunimit Ekonomik me Jashtë në dy qeveri; Qeverinë e Stabilitetit, të drejtuar nga Z. Ylli Bufi dhe Qeverinë Teknike të drejtuar nga Z. Vilson Ahmeti. Më pas punoi si Këshilltar i Ministrit të Bashkëpunimit Ekonomik me Jashtë, Ekspert Ndërkombëtar i Monitorimit dhe Vlerësimit të Financimeve të Bashkimit Europian në shtete të ndryshme të Ballkanit, Këshilltar Politikash i Ambasadori të OKB në Tiranë dhe Këshilltar i Kryeministrit. Që prej vitit 1999 ka punuar Drejtor Ekzekutiv dhe President i Qendrës për Nxitjen e Zhvillimit Njerëzor, (HDPC) në Tiranë.

Ka drejtuar studime të ndryshme thuajse në çdo fushë,  si në atë të qeverisjes, koordinimit të ndihmës së huaj, dencentralizimit të pushtetit, ndarjes territoriale, ecurisë së reformave, varfërisë dhe pabarazisë, punësimit, arsimit, formimit profesional, etj. Ka bashkëpunuar me të gjithë donatorët e pranishëm në Shqipëri dhe ka kontribuar në vendet e Ballkanit me kontratat konsulence afat-shkurtra. Ekspert drejtues i Raporteve të Zhvillimit Njerëzor të Programit të Zhvillimit të Kombeve të Bashkuara për Shqipërinë dhe Kosovën. Ka qenë anëtar i bordit të Fondacionit Shqiptaro-Amerikan, i përzgjedhur nga stafi i Presidentit Obama.

Doktori i Shkencave Ylli Çabiri ka marrë titullin “Honoris Causa” i Universitetit të Elbasanit dhe është anëtar i Bordit Drejtues të Universitetit “Aleksandër Xhuvani”.

Ylli Çabiri ka marrë titullin “Honoris Causa” i Universitetit të Elbasanit dhe është anëtar i Bordit Drejtues të Universitetit “Alkesandër Xhuvani”.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A po e rrezikojnë pushtetin absolut të Ramës, deputetët Braçe dhe Spiropali?