Si u kapën trafikantët e drogës, dyshimet për makinën e kreut të PS së Kavajës
Dy të rinj, mbështetës dhe pjesëmarrës aktivë në fushatën e Partisë Socialiste, u arrestuan mbrëmjen e së enjtes në Kavajë, shkruan “Panorama”. Të arrestuarit janë Ramadan Shabani dhe Enred Duka, të dy 28 vjeçarë. Policia njoftoi se arrestimi i tyre ishte kryer në zbatim të vendimit të Gjykatës së Kavajës, që ditën e enjte kishte vendosur masën e sigurisë “arrest me burg”, pasi ata akuzohen për prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike, shkruan lapsi.
Arrestimi i të rinjve është komentuar edhe politikisht, duke marrë shkas nga automjeti me të cilin ata lëviznin në momentin e ndalimit. Berisha e denoncoi këtë ngjarje në facebook. Duke iu referuar qytetarit dixhital, makina tip “Audi”, me targa AA 202 NO, është në pronësi të ish kryetarit të Partisë Socialiste atje, Gentjan Daja. Bashkëngjitur denoncimit, Berisha ka publikuar edhe foto të momentit të arrestimit të dy të rinjve, ku duken forcat e Policisë që kanë rrethuar automjetin tip “Audi”, që sipas Berishës është në pronësi të Gentjan Dajës.
E për të përforcuar denoncimin e tij, disa orë më vonë, ish kryeministri publikoi edhe një fotografi, ku dy të arrestuarit shfaqeshin duke drekuar me ishkreun e PS së Kavajës.
Megjithatë, burime nga Policia thanë dje se makina nuk është në pronësi të Gentjan Dajës, por të një qytetari nga Tirana.
KOHA JONË SONDAZH

