Sonila Meço: Çfarë doni të kuptoni qartë nga media përgjatë një fushate elektorale?

Nga Sonila Meço-
Të përforconi bindjet tashmë të konsoliduara politike?
Të kuptoni se çfarë u premtua e çfarë u realizua, duke kërkuar llogaridhënie?
Të shihni se si përplasen pa kokore hundë më hundë e deri ku arrin fyerja e denigrimi mes kandidatësh duke qesëndisur a sharë nga divani i shtëpisë?
Të kuptoni alternativën dhe të njihni formimin e kandidatëve?
Të zbuloni strategjitë dhe taktikat elektorale përtej përmbajtjes së premtimeve?
Të bëni sehir për një show se nuk besoni se vota do sjellë ndryshimin?
Nuk i ndiqni fare, sepse e keni ndarë mendjen të rrëzoni ata që qeverisën 8 vjet?
Nuk i ndiqni fare se nuk besoni më asgjë?
I bëj këto pyetje edhe si njeri i medias edhe si konsumator i saj, si drejtuese e si publik, sepse ndjej sa larg e ndonjëherë shtrembër jemi pozicionuar në raport me çfarë duam, çfarë besojmë, çfarë dyshojmë a çfarë gjykojmë, sa po ushqejmë njëri-tjetrin (gazetari e publiku) në një cikël agresiv që sa na mban aq na ndan.
Shumë kërkojnë shikimet dhe klikimet me çdo kusht e këto ushqehen nga instiktet e nxehta më shumë se logjika e ftohtë.
Që do të thotë sherri mbi argumentin, forca mbi arsyen, bindja e verbër mbi mendimin racional, përplasja mbi ballafaqimin, hakërrimi mbi kërkesën e llogarisë, zhurma përmbi kthjellimin.
Ndaj bëhet shumë e vështirë për të dy palët, gazetarin e publikun të takohen në një pikë shërbese reciproke.
Të gjitha pyetjeve për një respekt ndaj vetes duhet t’u përgjigjemi me sinqeritet, pavarësisht gjykimit të ashpër se mediat janë të gjitha të kapura e gjobvënëse, gazetarët të blerë, populli dele dhe i manipulueshëm, zgjedhjet të vendosura e të panevojshme, krimi në gatishmëri të plotë dhe opozitat të lodhura.
Pushteteve u intereson ky gjykim i vulosur e për këtë ditë punojnë përgjatë mandatit.
Dilet nga ky kurth vetëm duke e nisur nga divani i shtëpisë suaj, duke veneruar ato mure shtëpie që duhen mbushur me mirëqënie, gëzim e sfida të denja jete. Aty nis gjykimi e kërkesa e llogarisë, mandej respektohet logjika dhe jo instikti që gjithsesi kënaqet me fare pak dhe këtë media e pushtetet e dinë mirë. Ndihmoni logjikën të shpërblehet më shumë se instikti dhe batërdia televizive për të cilën shkruani, flisni, shani, mallkoni në rrjete do të sistemohet.
Ngjaj patetike e di, por kujtoni sa vjeç ishit 8 vjet më parë e sa do jeni pas 4 të tjerash. Keni ndonjë jetë tjetër rezervë? Apo varja thuaj, nuk bëhet dhe pikë.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Kush mendoni se duhet të jetë në emër të PD dhe opozitës kandidat për kryebashkiak në Tiranë?