Takimi i Ramës me diplomatët, reagon Mediu: Do ta bëjë pjesë të ‘tepsisë’ dhe Trupin Diplomatik
“Mbasi Rama ndërroi ligjin për trupin diplomatik me qëllim që të vendoste nëpër ambasada, militantët e Rilindjes, tani kërkon që ambasadorët të kthehen në sekserë të interesave të tij ekonomike.”
Në këtë përfundim ka dalë, Fatmir Mediu, kryetari i PR-së, pas takimit të ashpër që zhvilloi dje, Kryeministri Edi Rama me Trupin Diplomatik, takim i ngarkuar me kritika të ashpra ndaj Trupit për paaftësi, përgjumbje, rraskapitje, leshtësi.
Ndaj, Mediu sot, shkruan: “Duke iu drejtuar ambasadorëve me një gjuhë të papranueshme, Rama kërkon ta zhvendosë përgjegjësinë drejt ambasadorëve për mungesën e investimeve të huaja në Shqipëri.
Së pari Trupi diplomatik, Forcat e Armatosura apo Policia – me ligj – karrierën e tyre nuk duhet dhe nuk mund ta vendosin në pëlqimin politik të kryeministrit apo ministrit, por kritereve që përcakton ligji, përndryshe ata nuk mund të jenë ambasadorë, policë dhe ushtarakë të shtetit, por të Partisë Socialiste dhe Ramës, siç ai po këmbëngul vazhdimisht.
Së dyti, mungesa e investitorëve në Shqipëri, vjen qartësisht për shkak të korrupsionit, një strukture qeveritare pa projekte dhe vizion për zhvillimin ekonomik të vendit, pasigurisë për jetën, pasigurisë juridike për zbatimin e kontratave apo detyrimeve, pasigurisë për pronën dhe padyshim, taksat e larta dhe kompleksiteti i tyre.
Së treti, Rama vet s’ka mundur të marrë asnjë mbështetje thelbësore finaciare, qoftë edhe nga procesi i Berlinit, sepse Rama nuk shkon për të prezantuar, por vehten e tij, duke u përpjekur të bëjë lajm jo me projekte të zhvillimit të vendit, por me sjelljen dhe veshjen, që s’kanë asgjë të përbashkët me Kryeministrin apo shtetarin.
Së katërti, për investitorët e huaj, Rama i ka “ambasadorët e tepsisë”’, janë ata me të cilët blen zgjedhjet dhe bën tenderat dhe konçesionet,” përfundon Mediu.
KOHA JONË SONDAZH

