Të arsyetosh ndarjen e Kosovës me idenë se Rusia e Turqia po forcohen, është mjerim politik
Drejtori i KIPRED (Kosovar Institute for Policy Research and Development’s), Lulzim Peci, ka thënë se përpjekjet për të projektuar rritjen e Rusisë dhe Turqisë, si indikatorë të ndërrimit të “rendit botëror”, për të arsyetuar ndarjen e Kosovës si “shans historik” për të rregulluar marrëdhëniet me Serbinë dhe që të “marrim fryme lirisht”, është “naivitet dhe panjohuri elementare e marrëdhënieve ndërkombëtare, apo është mjerim njerëzor dhe politik”.
Ish-diplomati Peci, përmes një statusi në Facebook, ka bërë krahasime interesante mes fuqisë së Rusisë dhe vendeve tjera evropiane, duke e barazuar atë me GDP-në e Italisë, ndërsa thotë se GDP-ja e Turqisë është e përafërt me atë të Holandës. Ai thotë se Rusia nuk është kurrfarë superfuqie, por është thjeshtë një “fuqi rajonale”.
Postimi i plotë i Pecit:
“Derisa po bëhen përpjekje për të projektuar rritjen e fuqisë së Rusisë dhe Turqisë, si indikatorë të ndërrimit të “rendit botëror”, për të arsyetuar ndarjen e Kosovës si “shanse historike”, për të rregulluar marrëdhëniet me Serbinë dhe që të “marrim frymë lirisht”, duhet te kemi parasysh se:
-Në këtë kohe jemi duke e përjetuar “shkundjen” e perëndimit, por jo edhe rrënimin e tij. Krijimi një rendi të ri botëror as që është në horizont, përkundër sfidimit të tij.
– GDP e Rusisë është e përafërt me atë të Italisë, ndërsa ajo e Turqisë është e përafert me GDP e Holandës.
– Buxheti ushtarak i Britanisë së Madhe është më i madh se ai i Rusisë.
– Investimet ruse në rajon janë më të vogla se ato të Emirateve të Bashkuara
– Influenca malinje ruse në Ballkan ka shume më tepër të bëjë me interesat e saja për të dobësuar perëndimin në oborrin e tij, me qëllim të realizimit të qëllimeve të saja në “fqinjësinë e afërt”, gjegjësisht në Gjeorgji dhe Ukrainë, se sa me ndonjë interes të posaçëm gjeopolitik.
Rusia nuk është superfuqi, por vetëm një fuqi rajonale, e cila është anëtare e përhershme e Këshillit te Sigurimit në OKB.
Prandaj promovimi i opsionit të “aksham pazarit” me territorin e Kosovës, përmes projektimit të rënies të perëndimit dhe fuqizimit të Rusisë dhe Turqisë, ose është naivitet dhe panjohuri elementare e marrëdhënieve ndërkombëtare, apo është mjerim njerëzor dhe politik. Këtu mes nuk ka”.
KOHA JONË SONDAZH

