Tritan Shehu: Jo të gjithë mund të jenë në lista, koha për fushatë

Ish-kreu i PD-së dhe kryesuesi i listës së demokratëve në Gjirokastër, Tritan Shehu, e cilëson listën e kandidatëve të hartuar nga Lulzim Basha si gjithëpërfshirëse. Në një prononcim për “Panorama”, Shehu sqaron se ekipi i ri i zgjedhur nga Basha përfaqëson aspiratat e PD.

“Lista ka hapësirë për aq vende sa janë. Natyrisht jo të gjithë mund të jenë në lista. Kjo ndodhi edhe në 2013 kur unë personalisht nuk isha për 4 vjet në Parlament, pavarësisht se isha ish-kreu i PD-së dhe themelues i saj. Megjithatë, në zgjedhjet e 2013-s, kur unë e dija qartësisht se nuk do të isha në Parlament në atë periudhë, iu përvesha fushatës dhe dhashë kontributin tim dhe të gjithë energjitë e mia në atë fushatë, e cila fatkeqësisht nuk shënoi fitoren e PD. Por sot jemi përpara një shansi të madh për t’i fituar zgjedhjet. Mendoj se ekipi i ri i zgjedhur në PD përfaqëson aspiratat tona, programin dhe është një ekip që përmban njerëz të rinj, njerëz me eksperiencë, asete të PD dhe histori të PD. Është një listë gjithëpërfshirëse e PD”, deklaron Shehu.
Ish-kreu i PD-së nuk komenton lëvizjen e nisur brenda PD-së nga deputetët Topalli e Imami për shkarkimin e Bashës, por kërkon që të gjitha energjitë për fushatë të investohen për fitoren e PD.

“Unë mendoj dhe gjykoj se aktualisht është momenti që të gjithë t’i përvishemi fushatës elektorale. Të fitojmë zgjedhjet. Të realizojmë ndryshimet e mëdha që pret Shqipëria, të nxjerrim vendin nga kjo gjendje e rëndë në të cilën gjendet. Të çojmë përpara idealet tona, programin tonë, mendimet tona në këtë betejë kaq të rëndësishme, të cilës i kanë ngelur edhe 4 javë. Duke pasur si qëllim vetëm fitoren e PD. Kjo duhet të jetë motoja që duhet të mbizotërojë në këtë fushatë shumë të rëndësishme, e cila do të realizojë ato ndryshime që priten prej kohësh”, thekson Shehu.

Swiss Digital Desktop Reklama
Swiss Digital Mobile Reklama

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A mendoni se në shtator kryeministri do bëjë ndryshime në Qeveri?