Udhëheqësit e Katalonjës tërhiqen nga shpallja e pavarësisë
Udhëheqësit e Katalonjës u tërhoqën në minutën e fundit nga shpallja e pavarësisë, duke pezulluar zbatimin e rezultatit të referendumit për t’u shkëputur nga Spanja, dhe vendosën t’i lenë kohë negociatave me qeverinë qendrore të Madridit.
Duke folur para parlamentit të Katalonjës, presidenti rajonal Carles Puigdemont i bëri thirrje Madridit të hyjë në dialog. Ai tha se Katalonja ka fituar të drejtën për pavarësi.
Puigdemont mbajti një fjalim para parlamentit rajonal, për herë të parë që nga referendumi i debatueshëm një javë më parë, i cili doli me një rezultat të thellë të katalanëve që votuan për shkëputje. Referendumi u shpall i paligjshëm nga qeveria dhe gjykatat në Madrid.
Një numër biznesesh, përfshirë dy banka kryesore të Spanjës, një kompani e rëndësishme e telekomunikacioneve dhe një grup ndërtuesish, si dhe një protestë masive gjatë fundjavës në Barcelonë nga 350 mijë katalanë që kundërshtonin shkëputjen, filluan të ndikojnë mes të moderuarve që janë të alarmuar për prespektivën e një kolapsi ekonomik dhe trazirave civile.
Ata bënë thirrje për një pauzë dhe për më shumë përpjekje për të hapur negociata me qeverinë e qendrës së djathtë të kryeministrit Mariano Rajoy, i cili është nën presion nga partia e tij të mbajë një qëndrim të prerë me separatistët. Kryetarja e bashkisë së Barcelonës Ada Colau, argumentoi të hënën në mbrëmje kundër shpalljes së pavarësisë, duke thënë se do të kërcënonte bashkëjetesën sociale.

Viti 1934, kur Katalonja u bë shtet vetëm një… ditë
Më 6 tetor 1934, presidenti i qeverisë autonome të Katalonjës, Lluis Companys, shpalli një shtet katalanas në kuadër të një Republike Federale Spanjolle që nuk ekzistonte.
Por, pas 10 orësh dhe dhjetëra të vdekurish ai u dorëzua. Kur ai shpalli pavarësinë, partitë e majta kishin filluar një grevë të përgjithshme revolucionare në Madrid, për të protestuar kundër hyrjes në qeverinë qendrore të tre ministrave të një koalicioni të partive të djathta, CEDA-ja. “Katalanas!”, thërriti ai nga ballkoni i Generalitat, selia e qeverisë katalanase.
“Në këtë moment solemn, në emër të popullit dhe të Parlamentit, qeveria që drejtoj merr gjithë pushtetin në Katalonjë, shpall shtetin Katalanas të Republikës Federale Spanjolle dhe për të vendosur dhe forcuar marrëdhëniet me krerët e protestës së përgjithshme kundër fashizmit, i ftoj të vendosin në Katalonjë qeverinë provizore të Republikës”, theksoi Companys.
Me sa duket Companys nuk ishte konsultuar me krerët e grevës së përgjithshme dhe Republika e II spanjolle nuk ishte federale.
Për herë të parë Katalonja e vetëshpallur republikë, ishte përpjekur të fitonte një status autonomie që përputhej vetëm me modelin en një shteti federal, në dhjetor të vitit 1931 pa pritur miratimin e Kushtetutës. Qeverisë së Madridit të asaj kohe i ishte dashur të zhvillonte negociata shumë të vështira për të rikthyer kopetencat e tij në nivele të pranueshme për krijimin e shtetit të ri unitar.
Megjithatë përgjigja e qeverisë nuk u vonua.
Komandanti ushtarak i Katalonjës, gjenerali Domingo Batet, refuzoi t’i nënshtrohej urdhrave të qeverisë së re Katalanase dhe pasi u konsultua me shefin e qeverisë në Madrid, shpall gjendjen e luftës.
Një kalimtar vritet nga plumbat e një luftëtari pro pavarësisë, ushtria përgjigjet me goditje me top. Përplasjet gjatë mbrëmjes së asaj dite shkaktuan vdekien e rreth 46-80 personave, sipas historianëve. Rreth orës gjashtë të mëngjesit më 7 tetor, 10 orë pas shpalljes së pavarësisë, Companys njofton dorëzimin e tij tek gjenerali Batet. Ai u arrestua bashkë me gjithë qeverinë dhe shumë deputetë. Fotot e tyre pas hekurave bënë xhiron e botës.
Më 14 dhjetor, një ligj pezulloi pa afat autonominë e Katalonjës. I strehuar në Francë pas luftës civile (1936-1939), Companys u arrestua nga gjermanët në vitin 1940 dhe iu dorëzua Francisco Francos. Ai u pushkatua më 15 tetor në Montjuic, një kala që qëndron mbi Barcelonë. Ai është shndërruar në një hero të indipendentistëve katalanas.
KOHA JONË SONDAZH

