Veliaj: Bashkia e Tiranës dhe komuna e Kristiansand në Norvegji bashkëpunim përmes të rinjve
Bashkia e Tiranës dhe komuna Kristiansand në Norvegji do të bashkëpunojnë për projekte vullnetare për të rinjtë e të dyja vendeve dhe vendosjen e urave të ndërveprimit mes dy qyteteve. Një delegacion norvegjez, i përbërë nga drejtues të partive politike në këtë vend, përfaqësues organizatash dhe projektesh vullnetare ndërkombëtare, u prit edhe nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.
“Kristiansand është një qytet i rëndësishëm në Norvegji, që ka përqafuar një komunitet të jashtëzakonshëm shqiptarësh, rreth 1000, të cilët jetojnë e punojnë aty. Për sa kohë që 165 kombësi jetojnë në harmoni edhe në një qytezë më të vogël se Tirana, do të thotë se formula funksionon: Njerëzit mund të bashkëjetojnë, të përfitojnë nga kulturat e njëri-tjetrit, të bëjnë përpara së bashku. Ndaj, më vjen mirë që kemi një program shkëmbimi mes të rinjve vullnetarë,” u shpreh Veliaj.
Nga ana e tij, zv/Kryetari i Komunës së Kristiansand, Erik Rostoft, u shpreh i gatshëm për të bashkëpunuar edhe në projekte të tjera të rëndësishme.
“Është kënaqësi të jemi këtu në Tiranë dhe të përjetojmë mikpritjen tuaj. Po shohim se ka shumë fusha në të cilat mund të bashkëpunojmë. Edhe Norvegjia është një vend i vogël po ashtu, por ne vlerësojmë metodat tona të dialogimit dhe mendoj se mund të bashkëpunojmë me njerëzit këtu më së miri. Aktualisht po punojmë për “një qytet për të gjithë” dhe mendojmë se ky është një koncept i mirë për t’u përcjellë edhe në Shqipëri. Ne do të ndajmë me ju eksperiencën tonë dhe do të përpiqemi t’ju ndihmojmë në këtë drejtim. Gjithashtu, u njohëm me çështje dhe nisma interesante në vendin tuaj. Le të shpresojmë se ky është vërtet fillimi i një miqësie të mirë dhe që gjithashtu të bëjmë gjëra së bashku, për ta bërë të ardhmen sa më të mirë,” deklaroi Rostoft.
Kjo nisma e zhvilluar prej më shumë se dy vitesh kulmon në vitin ku Tirana është shpallur Kryeqyteti Europian i Rinisë nën zbatimin e Organizatës “Projekte Vullnetare Ndërkombëtare” me mbështetje të Kongresit Rinor Kombëtar.
KOHA JONË SONDAZH

