VIDEO/ Protesta në Shkozë, deputetja e PS-së u përgjigjet qytetarëve nga “Facebook”-u
Banorët në Shkozë, shtëpitë e të cilëve pritet të shemben pasi preken nga projekti i rehabilitimit të lumit të Lanës, dolën ditën e djeshme në protestë, madje kanë kërkuar edhe prezencën e deputetes së zonës, Elona Gjebrea dhe Saimir Tahirit si kryetar i Partisë Socialiste për Tiranën, pasi sipas tyre ata i kanë premtuar para zgjedhjeve dëmshpërblim te plotë me një VKM të posaçme.
Gjebrea përmes një statusi në rrjetin social ka bërë të ditur se është maksimalisht e angazhuar për zgjidhjen e situatës.
STATUSI I ELONA GJEBREAS NË FACEBOOK:
Do doja të informoja mbarë opinionin publik, se jam maksimalisht e angazhuar për zgjidhjen e situatës me banorët e Shkozës në lidhje me prishjen e banesave për shkak të ndërtimit të Unazës së Re. Kam qenë në komunikim të vazhdueshëm me ta, si përpara fushatës dhe pas saj, përfshirë këtu edhe ditën e sotme, ku para disa minutash, mbarova takimin me qytetarët.
Dëshiroj të sqaroj, se ne nuk e kemi shfrytëzuar këtë situatë për të kërkuar vota apo mbështetje tjetër nga ata. Por, si deputete e zonës, jam në mbështetje të tyre për zgjidhje të problemeve dhe jo shfrytëzime për qëllime partiake. Këtë nuk do ta bëj kurrë.
Një grup ndërinstitucional u krijua me porosi të Kryeministrit dhe me pjesëmarrje te Kryetari të Bashkisë, z. Erion Veliaj. Po bëjmë më të mirën, që qytetarët të sqarohen dhe t’ju ofrohen mundësi mbështetje në rastin e banesave pa legalizim dhe leje ndërtimi. Përfaqësia e ngritur nga banorët që preken nga ky projekt, do të informohen hap pas hapi për vijueshmërinë e këtij procesi.
Faleminderit!
Një qytetare, shtëpia e së cilës rrezikon të prishet, pas postimit të Gjebreas, i kërkon asaj një takim. Ndërkohë ka publikuar edhe mesazhet e dërguara deputetes Elona Gjebrea dhe përgjigjen e kthyer nga vete ajo.
Ja mesazhet e këmbyera:
Gjebrea – Pëshëndetje! Faleminderit për mesazhin e jam në kontakt me problemet e qytetarët.
Qytetari – Faleminderit për përgjigjen znj deputete. Problemi ynë nuk pret ju lutem na lini një takim, pasi të gjithë ne si banorë jemi shuëm të shqetësuar sepse përpara tri ditësh kemi marrë skualifikimin nga ALUIZNI na keni premtuar ndihmën tuaj, ju lutem na ndihmoni.
Qytetari – Z.Gjebrea kemi nevojë ju lutem për një takim urgjent. Sot morëm letrat nga IKMT për prishjet e shtëpive zona Shkozë dhe na thanë për dy javë do të fillojnë prishjet e banesave. Kur do vini të bisedojmë, apo kur të na prishin shtëpitë dhe të dalim në rrugë të madhe. Kur keni ndërmend të na vizitoni, për të na hedhur grushtin e fundit të dheut mbi varr se kështu po na dënoni ju dhe qeveritë e mëparshme të këtij shteti të fëlliqur që nuk është i zoti të mbrojë aq qytetarët e tij. Po na vrisni pa pasur të drejtën as të mbrohemi ne që punuam gjithë jetën për një çati mbi kokë ne që gjithë jetën paguam taksa edhe për pastrimin gjelbërimin, ndriçimin dhe që kurrë nuk i shijuam. Tani duhet edhe kjo të na hidhni në rrugë të madhe . Ky është shteti shqiptar për ne që na merr dhe na fut tre pash nën dhe… Ky është kulmi. Ju lutem nëse interesojmë sadopak për ne si banor të Shkozës ju lutem na lini një takim.
KOHA JONË SONDAZH

