Viktimat e komunizmit, Bylykbashi: Rama e nisi me rehabilitimin e Enver Hoxhës e tani kriminelët janë në majat e Ekzekutivit
Në përkujtim të Ditës Europiane të Viktimave të Nazizmit e Stalinizmit që u mbajt një ditë më parë në Tiranë, deputeti demokrat Oerd Bylykbashi ngre shqetësimin se kriminelët që siç thotë ai, vranë më shumë shqiptarë seç vranë gjermanët në Luftë ende nuk e shkarkojne ndërgjegjen, as duke treguar varret e atyre që vranë, e aq më pak duke kërkuar ndjesë.
Madje, thotë Bylykbashi përmes një komenti në faqen e tij zyrtare në rrjetin social “Facebook”, sot kanë marrë zemër e krenohen për regjimin e tyre kriminal.
“Edi Rama e filloi këtë me rehabilitimin e fotos së Enver Hoxhës dhe sot po ngre në majat e pushtetit ekzekutiv ata që në fundin e diktaturës torturuan apo dhanë urdhër për vrasje në sheshe, apo në kufi”- shprehet ndër të tjera Oerd Bylykbashi.
Komenti i Oerd Bylykbashit
Një shprehje thotë: Djallëzia më e madhe e Djallit qe atëherë kur bindi njerëzit se ai nuk ekziston.
Djallëzia më e madhe e komunistëve qe atëherë kur binden shqiptarët të harronin krimet e komunizmit.
Stalini vrau 20 milionë rusë. Mao Ce Duni, nën shembullin e Stalinit vrau 70 milionë kinezë. Pol Poti, nën shembullin e Stalinit dhe të Mao Ce Dunit vrau 3 milionë kamboxhianë, ose një në tre vetë. Hitleri nuk ua kaloi në sadizëm këtyre kriminelëve. Thjesht ishte një prej tyre.
Enver Hoxha vrau mijëra shqiptarë, madje më shumë seç vranë gjermanët (për këtë sfida është e hapur për këdo që të provojë me fakte dhe emra po aq të vrarë nga pushtuesi sa janë vrarë nga komunistët). Shumë prej tyre nuk u dihet varri dhe kriminelët që i vranë nuk e shkarkojnë ndërgjegjen, as duke treguar varret e atyre që vranë e aq më pak duke kërkuar ndjesë. Madje sot kanë marrë zemër e krenohen për regjimin e tyre kriminal. Edi Rama e filloi këtë me rehabilitimin e fotos së Enver Hoxhës dhe sot po ngre në majat e pushtetit ekzekutiv ata që në fundin e diktaturës torturuan, apo dhanë urdhër për vrasje në sheshe apo në kufi.
Por as Stalini, as Mao Ce Duni nuk i vranë vetë milionat. Krimet e komunizmit janë krime kundër njerëzimit. Çdo krim ka një kriminel pas. Ky kriminel duhet çuar para drejtësisë. Duhen dënuar jo vetëm hirarkët e Byrosë dhe Komitetit Qendror, por të gjithë ata që morën pjesë në krim. Ashtu siç u bë me nazistët në Nuremberg, siç u bë me ta më pas nga Izraeli dhe të gjithë shtetet e civilizuara. Ashtu siç dënohen sot e kësaj dite. Janë krime që nuk parashkruhen kurrë.
Duke u vënë emrin e kriminelëve dhe dënimin e tyre përkrah çdo viktimë, vetëm ashtu 23 gushti do të ketë kuptim për shqiptarët si përkujtim i krimeve të komunizmit dhe fashizmit.
Vetëm kështu do ndahemi nga e keqja më e madhe që u është bërë atyre ndonjëherë, Komunizmi.

KOHA JONË SONDAZH

